Këtë të hënë po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme gjyqi ndaj biznesmenit Rezart Taçi.

Në këtë seancë po merren dëshmitë e katër personave, mes të cilëve edhe noteri Ermal Hamzaj.

Lexo edhe :

Related Posts

Rezart Taçi akuzohet për pastrim parash në shumën prej 18.3 milionë eurosh, të dyshuara si të ardhura të organizatës mafioze Cosa Nostra

Ermal Hamzaj, dëshmitari i parë:

“Kam punuar me Rezart Taçin dhe kemi bashkëpunuar për një kohë të gjatë. Jam noter dhe kam zyrë në Bllok. E njoh mirë, pasi kemi punuar bashkë për rreth një vit e gjysmë. E njoh gjithashtu bashkëshorten e tij, Najada Taçi, e cila është mikeshë ime.

Në aktivitetin tim kam pasur kërkesa nga shumë biznesmenë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët nuk kanë pasur mundësi të jenë në Shqipëri për të përfunduar disa procese. Kam marrë një kërkesë për të përgatitur një prokurë dhe për të shkuar në Itali për të marrë firmat. Kërkesa më erdhi nga bashkëshortja e Taçit, Najada Taçi, e cila gjithashtu pagoi dhe bëri rezervimin e biletave.

U nisa për në Itali dhe udhëtimi ishte Shqipëri-Palermo-Romë. Pasi mbërrita në Itali, më priti një financier, një mik i tyre, dhe shkuam në një vend ku një person i moshuar firmosi prokurën. Proçedura zgjati vetëm 5 minuta. Financieri ishte Fabio Petruzzella, i cili tani është arrestuar, siç e kam lexuar në gazeta.”

Pyetje nga avokatja Ilenja Mehilli:

Hamzaj: Nuk kam pasur kontakte me Rezart Taçin dhe nuk e kam takuar atë në Itali. Prokurën e përgatita sepse ma kërkoi bashkëshortja e tij. Nuk e dija nëse në atë kohë ishin ende bashkëshortë.

Pyetje nga gjyqtarja Elsa Ulliri:

Hamzaj: Kam punuar me Taçin rreth vitit 2011 për një periudhë prej 1 viti e gjysmë si jurist. Marrëdhëniet tona u ndërprenë kur kjo çështje u bë publike në media. Me gruan e Taçit kam pasur marrëdhënie shoqërore.

Denisa Dobi, dëshmitarja e dytë:

“E njoh Rezart Taçin dhe kam punuar te ‘Taçi Oil’ deri në gusht të vitit 2013. Më pas kam punuar te ‘EPC Oil Petrol’, ku administrator ishte Elton Balliu, të cilin e njihja që nga koha e ‘Taçi Oil’. Nuk shkoja shpesh në zyrë, pasi kompania kishte selinë në Shijak dhe gjithçka që më kërkohej e bëja përmes telefonit ose laptopit. Njoh gjithashtu Artur Ballën dhe Bledar Lilon. Lilo nuk kishte ndonjë pozicion specifik në ‘EPC Oil’.

Një herë më kërkuan të bëja një rezervim në hotel për Fabio Petruzzella. E bëra këtë përmes një agjencie, por nuk mbaj mend sa herë e kam bërë një shërbim të tillë. Kërkesën ma dha Artur Balla, por nuk di se kush pagoi për rezervimin. Kam njohur Rezart Taçin që në vitin 2005, kur ishte shefi im drejtpërdrejt dhe marrëdhënia jonë ka qenë e gjatë. Në komunikimet tona, më jepte kontaktet e furnitorëve që i duheshin kompanisë.”

Pyetje nga gjykata:

Gjykata: Keni përpiluar ndonjë shkresë në drejtim të Arben Ahmetajt?

Dobi: Nuk e mbaj mend. Puna jonë është dinamike, me shumë pagesa dhe fatura. Nuk i drejtoheshim autoriteteve të larta, vetëm institucioneve si Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Në seancën e sotme, Dobi u njoh me një dokument të paraqitur nga prokuroria dhe konfirmoi se e kishte shtypur dokumentin sipas formatit të kërkuar, me urdhër të Artur Ballës.

Pyetje nga avokatja Mehilli:

Dobi: Nuk kam pasur kontakte me Rezart Taçin, kam punuar vetëm me Artur Ballën.

Kujtojmë se në qendër të akuzave janë tre shtetas italianë: Francesco Zummo, një sipërmarrës 91-vjeçar, ekonomisti Fabio Petruzella dhe brokeri financiar Daniele Cestagalli. Këta të fundit, sipas akuzës, kanë bashkëpunuar me biznesmenin shqiptar të hidrokarbureve Rezart Taçi, kunatin e tij Artur Ballën dhe badigardin Bledar Lilo, në një skemë të sofistikuar financiare.

Skema kishte për qëllim pastrimin e një shume të madhe parash, që kap vlerën e 18.3 milionë eurove, të cilat dyshohen se kanë origjinë nga aktivitetet e paligjshme të Cosa Nostra-s, organizata famëkeqe kriminale siciliane. Hetimet kanë zbuluar se Rezart Taçi dhe grupi i tij kanë ndihmuar në lëvizjen dhe fshehjen e këtyre fondeve nëpërmjet transaksioneve komplekse financiare, që përfshinin kompani të huaja dhe llogari jashtë vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *