Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku e ka vlerësuar shumë të suksesshme ndarjen e re administrative.

 

Në seancën dëgjimore në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale”, Mazniku theksoi se reforma territoriale ka pasur një impakt të drejtpërdrejtë pozitiv në jetën e qytetarëve. Për këtë ai solli rastin e suksesshëm të Bashkisë së Tiranës, e cila ka realizuar shumë investime të rëndësishme në zonat më të largëta, ku nuk ishte vënë dorë prej shumë vitesh nga ish-komunat.

 

“Çdo sy i arsyeshëm, që ka për qëllim të shohë cilësinë e jetës së qytetarëve, nuk mund të thotë dot se reforma administrative nuk ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm. Ne jetojmë në Tiranë, shumë prej jush jetojnë në Tiranë, mjafton të shohim pak se çfarë ka ndodhur me një seri njësish administrative, dikur ish-komuna, dhe mënyrën sesi ka ndryshuar jeta e njerëzve në këto zona, për të kuptuar impaktin që ka pasur Reforma Administrative në cilësinë e jetës”, tha Mazniku.

 

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se ish-komunat nuk kanë bërë asnjë investim në rrugë apo në ujësjellësa, siç ishte rasti ish-Komunës Kashar e cila lejonte ndërtimet, por nuk mendoi për urbanizimin.

 

 

“Komuna Kashar kishte planifikuar një zonë të tërë zhvillimi, e cila ishte ngjitur me kufirin e Tiranës, që sot njihet në mënyrë publike si zona e Astirit. Nga Komuna Kashar aty janë ndërtuar 26 mijë m2 apartamente për rreth 70-80 mijë banorë, të cilët sot janë banorë atje, por nuk kishte asnjë shërbim në lidhje me këtë zonë. Nuk kishte shkolla, nuk kishte çerdhe, nuk kishte parqe, nuk kishte ujë dhe nuk kishte as edhe një shans që komuna, po të vazhdonte ashtu, të kishte mundësi që këtyre njerëzve, të cilëve u planifikoi zhvillimin, t’i ofronte këto shërbime”, deklaroi ai.

 

Mazniku theksoi se falë bashkimit të ish-komunave me qytetin, tashmë Bashkia e Tiranës ka çuar asfaltin, ujin dhe ka investuar në shkolla.

 

“Në qoftë se nuk do të ishte bashkuar ajo pjesë me Tiranën, ku sot është bërë Bulevardi, janë bërë një seri rrugësh, një seri investimesh, është çuar një linjë e posaçme uji, janë duke u investuar 4 shkolla, nuk do kishte asnjë shans që një zonë e tillë, e planifikuar në mënyrë të rrëmujshme nga komuna më parë, të kishte mundësinë që të zhvillohej dhe të përmirësohej”, theksoi Mazniku.

 

Ai shtoi se Bashkia e Tiranës ia ka dalë të paguajë jo vetëm borxhet e ish-Bashkisë së Tiranës, por edhe të gjitha borxhet dhe detyrimet ndaj palëve të treta, të të gjithë ish-komunave falë menaxhimit të mirë financiar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *