Mërgim Mavraj po i befason të gjithë me paraqitjet e tij në Bundesligë. Jo më kot, ekspertët e futbollit të atjeshëm e kanë përzgjedhur shqiptarin në ekipin ideal të lojëtarëve surprizë të këtij sezoni gjerman. Në përshkrimin që i bëhet futbollistit shqiptar në faqen zyrtare të Bundesligës, përsa i takon përfshirjes në formacionin ku gjenden edhe emra si Xhoshua Kimish i Bayernit, apo Marcel Schmelzer i Dortmundit, evidentohet diferenca mes asaj që pritej nga mbrojtësi dhe se çfarë ka dhuruar realisht.

“Lojtari i kombëtares shqiptare humbi 20 ndeshje në sezonin e kaluar për shkak të një dëmtimi serioz në gju dhe u desh të shihte se si Dominik Maroh e Dominik Hainz formuan një dyshe të fortë në qendër. Pas vendit të 9-të të vitit të kaluar, kishte një pikëpyetje të madhe rreth pozicionit të Mavrajt në formacionin titullar. Nuk ishte e qartë nëse ai do të siguronte një vend në fillimin e sezonit”, shkruan faqja e Bundesligës për Mavrajn.

Mirëpo, faktikisht Mavraj ia doli të zinte vend në prapavijën e Këln dhe aktualisht është një nga katër lojtarët që nuk ka humbur asnjë sekondë lojë në ecurinë surprizë të Këlnit që mban vendin e 6-të në renditje. Ai ka një rol mjaft të madh në mbrojtjen e skuadrës së tij, që është e dyta vetëm pas Bayernit, ndër ekipet që kanë pësuar më pak gola. Veçanërisht në planin individual, Mavraj ka marrë vlerësime të shumta gjatë këtyre muajve, duke qenë shpesh pjesë e 11-shes më të mirë të javës. / Tring sport

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *