Pas sulmit me gaz sarin të pak javëve më parë që shkaktoi vdekjen e dhjetëra civilëve, SHBA kanë paralajmëruar presidentin sirian Bashar Al Assad të mos përdorë më armë kimike. Shefi i Pentagonit, James Mattis deklaroi nga Izraeli se nuk ka dyshime se në Siri ka ende armë kimike, pavarësisht marrëveshjes së vitit 2013 që e ndalon përdorimin e tyre.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk ka dyshime se Siria ka armë kimike. Përdorimi i tyre është shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ne këshillojmë që Siria të mos përdorë më armë kimike. Këtë e kemi bërë të qartë me sulmin tonë.”
Përkrah homologut izraelit Avigdor Lieberman, Mattis nuk pranoi të komentonte nëse behet fjalë për tre tone armë, një sasi që përflitet nga autoritetet izraelite. Rusia ka kundërshtuar akuzat e SHBA dhe vendeve perëndimore se pas sulmit të 4 prillit qëndronte presidenti Assad. Ajo ka akuzuar këto shtete se nuk kanë lejuar që ekspertë të Organizatës Për parandalimin e armëve kimike të vizitonin vendin, ku është kryer sulmi në Idlib.