Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kanë inspektuar punimet për rikonstruksionin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
Investimi pritet të përfundojë brenda këtij viti, duke siguruar standarde të larta për kujdesin shëndetësor ndaj nënave dhe fëmijëve.
“Rikonstruksioni i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” po realizohet në dy faza. Faza e parë, që ka të bëjë edhe me ndërtimin e godinës kryesore, diku te 6 mijë metër katrorë, ka përfunduar në fund të vitit që shkoi. Në godinën e re, 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, janë shërbimet kryesore: shërbimi obstetrik-gjinekologjik, shërbimi i imazherisë, qendra e gruas që është e gjitha e ndërtuar e re”, tha Albana Koçiu.
Gjithashtu, Koçiu vuri në dukje se do të ketë dyfishim të kapaciteteve.
“Nga 260 shtretër që janë aktualisht, kapacitetet e shtretërve janë rritur në 320. Secili nga shërbimet ka edhe shërbimin intensiv. Me shërbimin e neonatologjisë kompletohet i gjithë korpusi spitalor. Ndërkohë, në fazën e dytë, kemi edhe qendrën e prematuritetit, e ndarë në dy klinika: Klinikën për nënat që kanë risk të lartë gjatë shtatzënisë dhe klinikën për fëmijët që lindin prematurë”, shtoi ministrja.
Paketa e fertilitetit, e cila do të ofrohet në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, do të mundësojë 137 shërbime falas të fertilizimit in vitro me teknologji të avancuar për të gjitha çiftet që dëshirojnë të kenë një fëmijë. /vizionplus.tv





