“Match Maker Albania”, eventi kryesor për bizneset i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, bëri bashkë në Tiranë këtë të enjte qindra sipërmarrës vendas dhe të huaj.
500 investitorë të huaj, 200 investitorë shqiptarë dhe 30 eksportues vendas biseduan për bashkëpunime të reja dhe për potencialin e vendit tonë për më shumë investime.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili nxiti sipërmarrësit e huaj të investonin gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, si momenti më i mirë i vendit tonë.
“Kushdo që ka ardhur, të hedhë një sy këtu, duhet të kuptojë që kjo është koha për të investuar në Shqipëri, koha për të blerë qoftë edhe një gur në Shqipëri sepse nesër do të jetë vonë, nesër të gjithë do të duan të vijnë, do të duan të blejnë dhe do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën prej jush. Çfarëdo do të doni të blini, blijeni tani. Është një moment ku Shqipëria nis të lulëzojë dhe ende nuk është plotësisht e njohur për potencialin që ka dhe për mundësitë e jashtëzakonshme, por kur të gjithë ta marrin vesh, nuk do të jetë kaq e lehtë sa është sot”, tha kryeministri Rama.
Nga ana tjetër, Artan Dulaku, CEO i grupit “Concord Investment”, tha se evente të tilla shërbejnë për promovimin e Shqipërisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë.
“Do të sjell eksperiencën time. Ka qenë një punë e madhe nga kryeministri për promovimin e Shqipërisë dhe kemi një punë më të lehtë sot për të promovuar veten tonë kur shkojmë jashtë. Eksperienca ime është se para 5-6 vitesh është se kur trokisje në dyert e sipërmarrësve të huaj, kishe probabilitetin 1 me 10 që të të pranonin. Kjo ishte trishtueshme, por më pas gjërat ndryshuan shpejt dhe tani janë ata që vijnë dhe trokasin në dyert tona. Investitorët spanjollë thyen akullin të parët dhe po konkurrojnë me njëri-tjetrin për të qenë në Shqipëri. Sfida është që ne duhet të jemi inovativë, kemi ende rrugë përpara”, tha Artan Dulaku, CEO i “Concord Investmen”
Ndërsa ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, nënvizoi se ky dikaster do të mbështesë çdo investitor dhe sipërmarrës që ndan vizionin e gjithpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë.
/vizionplus.tv