“Match Maker Albania” në Tiranë, Rama: Koha më e mirë për të investuar në Shqipëri është tani!
Sipërmarrës vendas dhe të huaj janë mbledhur këtë të enjte në pallatin e Kongreseve, në eventin kryesor për bizneset të quajtur: “Match Maker Albania”, të organizuar nga Agjencia shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.
Kjo ngjarje shihet si një mundësi e madhe për të prezantuar investimet vendase dhe të huaja në Shqipëri, për të shfaqur potencialin e vendit tonë dhe për të krijuar bashkëpunime të reja me kompani globale.
Pjesëmarrës në event janë 500 investitorë ndërkombëtarë, 200 investitorë shqiptarë, përfshirë edhe grupin “Concord Investment”, 30 eksportues vendas si edhe përfaqësues të lartë të qeverisë, së bashku me kryeministrin Edi Rama.
Kreu i qeverisë u bëri thirrje investitorëve ndërkombëtarë dhe vendas që të investojnë në Shqipëri, pasi koha më e mirë për ta bërë, sipas tij, është tani.
Rama: Për këdo që ka ardhur, dua të them që të hedhë një sy këtu. Duhet të kuptojë që kjo është koha për të investuar në Shqipëri, është koha për të blerë qoftë edhe një gur sepse nesër do të jetë vonë. Nesër të gjithë do të duan të vijnë, të gjithë do të duan të blejnë dhe do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën prej jush. Çfarëdo doni të bëni, bëjeni tani. Është një moment kur Shqipëria nis të lulëzojë dhe ende nuk është plotësisht e njohur për potencialin që ka dhe për mundësitë e jashtëzakonshme, kur të gjithë ta marrin vesh, nuk do të jetë kaq e lehtë sa ç’është sot.
Shifrat ndërkohë sapo fillojnë të bëhen mjaft të rëndësishme sa i takon vëllimit të investimeve, sa i takon vëllimit të turistëve, vëllimit të të gjitha llojeve të eksport-importeve dhe të gjitha llojet e shprehjeve të interesit si në hapësirën bregdetare ashtu edhe në atë malore. Jemi një vend shumë i mirë për të investuar në gjithçka, për tu bërë bashkë aktorë lokalë dhe aktorë ndërkombëtarë të biznesit. Të gjithë ata që e njohin Shqipërinë përmes detit apo qyteteve dhe mendon se ka parë më të mirën, po ju them që më e mira është në male. Çfarëdo që dikush do të bëjë sot në male është diçka që do t’i shpërblehet në një mënyrë të shumëfishtë në një të ardhme jo të largët.
Eventi i sotëm filloi me vonesë për shkak të angazhimeve të kreut të qeverisë, i cili kërkoi falje dhe e mbylli fjalën e tij me një batutë.
Rama: Falenderoj të gjithë ata që erdhën këtu dhe të gjithë ata që janë këtu dhe që jetojnë këtu sepse më duhet të vlerësoj durimin që patën duke pritur që ky takim të niste. Nuk do të gjeni ndoinjë ballkanas tjetër që të kërkojë ndjesë dy herë dhe të mos marrë ndonjë duartrokitje./vizionplus.tv




