Subscribe

Renditja e universiteteve shqiptare në rang europian, por edhe rajonal, lë mjaft për të dëshiruar.

 

Megjithatë, në kuadër të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, viti i ardhshëm akademik do të sjellë risi në fushën e inteligjencës artificiale.

 

ANDREA MALIQARI

REKTOR, UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANES

“Në muajin gusht ne jemi fitues të një projekti të përbashkët me katër universitete partnerë, Universitetit të Teknologjisë së Compiègne në Francë që është lideri, universiteti politeknik i Katalunjës në Barcelonë, Spanjë, universiteti i Xhenovas në Itali dhe universiteti politeknik i Tiranës. Së bashku, kanë fituar një projekt Erasmus Mundus për një master europian në inxhinierinë e sistemeve të qëndrueshme ose në inteligjencën artificiale. Një mundësi shumë e mirë që ndodh për herë të parë në vendin tonë.”

 

Rektori i universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maliqari, sqaron se mundësitë për studentët shqiptarë që do të duan të aplikojnë janë strikte dhe të kufizuara.

 

“Ne kemi një numër të kufizuar të studentëve sepse kuotat totale janë 60 dhe do të ndahen gati në 50% nga universitetet partnere dhe gjysma tjetër për aplikimet nga e gjithë bota. Mundësia për të krijuar studime ose grupe me pjesëmarrje kaq mikse është shumë e rëndësishme. ”

 

Semestri i dytë gjatë vitit të parë akademik të programit master do të zhvillohet në Tiranë, ku bashkë me studentët do të zhvendoset edhe stafi akademik.

 

“Nëse deri më sot ne kemi patur mundësinë  e diplomave të dyfishta, kjo është një diplomë që njihet nga katër universitete dhe në të gjithë Europën sepse bëhet fjalë për një Erasmus mundus. Specifika tjetër e rëndësishme është pjesëmarrja, profesorët e katër universiteteve partnere do të japin mësim dhe do të ketë një mundësi që të aplikojnë studentë nga e gjithë bota. Mësimi do të zhvillohet në të katër universitetet me semestra, ne na takon semestri i dytë i vitit të ardhshëm akademik dhe studimet do të zhvillohen këtu.”

 

Aplikimet do të vlerësohen nga një komision i përbashkët me përfaqësues nga të katër universitetet që janë pjesë e projektit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *