Me hyrjen në fuqi të masave shtrënguese të Bankës Qendrore për kreditë për banesa, pyetja që shumë individë bëjnë është: Të vijojnë me shit-blerjet apo të presin se si do të reagojë tregu? Eksperti i ekonomisë Adrian Civici thotë se efekti masave nuk do të jetë i shpejtë, po qëllimi i tyre është një kontroll më i mirë i ofertës në treg.
“Tregu nuk pritet të reagojë mënyrë të shpejtë. Do kohë që të ndihet efekti i këtyre masave. Synimi i tyre është frenimi dhe kontrolli më i mirë i ofertës në treg. Kërkesa vijon të jetë shumë e lartë dhe vet tregu do të kërkojë kohë ti rikorrigjojë çmimet, pse jo dhe me ulje” -tha Civici
Sipas Civicit heqja e mundësisë për të marrë 100 % të vlerës së pronës kredi, nuk është një shtrëngim që vjen nga ndonjë krizë në horizont. Janë masa që kanë efekt parandalues.
“Këto konsiderohen masa parandaluese që Bankat Qendrore i marrin herë pas here për të eliminuar mundësinë e krijimit të një flluske në rastin e tregut të pasurive të patundshme. Nuk janë masa të ndikuara nga një krizë reale aktuale. Ideja është që të ketë një ndarje të riskut në mënyrë proporcionale, mes bankave dhe klientëve.”
Por eksperti i ekonomisë jep dhe një tjetër arsye pse u morën këto masa?
“Është edhe një mënyrë për të kufizuar orientimin e kapitaleve dhe investimeve në sektorin imobiliarë. Eksperienca ka treguar që krizat vijnë kur orientohen kapitalet kaq shumë në një sektor.”
Që pas pandemisë, ndërtimi dhe tregu i shitjes së pronave janë dy nga tre sektorët që po udhëheqin rritjen ekonomike. Ndërsa tregu i pasurive është sektori i parë që po dominon në investimet e huaja për disa vite rresht. Viti 2024 u mbyll me 380 mln euro.
/vizionplus.tv





