Masat kundër koronavirusit, Manastirliu inspekton dhomat e izolimit te Infektivi

Në kuadër të masave për parandalimin e koronavirusit, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka inspektuar ambientet në Spitalin Infektiv në QSUT, për rastet që mund të preken nga ky virus në Shqipëri.
Përmes një postimi në “Facebook”, Manastirliu siguroi që do të shtohen masat për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri, ndërsa kërkoi rritjen e mbikëqyrjes. Pavarësisht theksit që Shqipëria renditet një nga vendem me rrezikshmëri të ulët.
“Me ekipin e palodhur të spitalit infektiv dhe drejtuesit e shëndetit publik, për të parë nga afër parapërgatitjen dhe masat konkrete të ndërmarra në lidhje me ambjentet e nevojshme, bokset e izolimit dhe mjetet e mbrojtëse personale për kontrollin dhe trajtimin e çdo rasti të mundshëm me koronavirus. Forcojmë masat paraprake për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri.”
Ndër të tjera, Manastirliu tha se “Task-Forca” mblidhet çdo ditë për të referuar të gjitha masat që janë ndërmarrë edhe në raport me trajnimet.

“Qëndron fakti që ne jemi vend me risk të ulët, që nuk kemi asnjë element të dyshuar sot për sot, por jemi të përgatitur dhe vijojmë të përforcojmë masat sipas shkallës së rrezikshmërisë.”







