E enjte, 24 Shtator 2026 Zilia deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Masakra me dy viktima e dy të plagosur më Shkodër, Proda: Mirënjohje efektivëve për reagimin e menjëhershëm

Shkodra u trondit një ditë më parë nga një atentat që la pas dy viktima dhe dy të plagosur.

Nga atentati ku u shkrepën 27 plumba mbetën të vdekur shtetasit Armando Pali, ish-anëtar i këshillit bashkiak dhe 31-vjeçari Liridon Kraja, si dhe u plagosën, Erogen Vaso dhe kamarierja 25-vjeçare Meri Kaceri.

Autori i dyshuar, 29-vjeçari Ragip Gila, i cili u arrestua disa orë pas ngjarjes deklaroi përpara oficerëve të policisë se objektivi i tij ishte Erogen Vaso.

Pas ngjarjes së rëndë, drejtori i Policisë së shtetit, Ilir Proda u është drejtuar me një mesazh efektivëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Reklamë

Ai ka vlerësuar angazhimin e efektivëve si dhe ka shprehur ngushëllimet për familjet e dy viktimave.

Mesazhi i Prodës

“Të nderuar kolegë të Policisë së Shkodrës,

Ju shpreh mirënjohjen për angazhimin tuaj maksimal gjatë këtij 24-orëshi intensiv për Policinë.

Reagimi juaj i menjëhershëm, i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm, ngjarje e cila dëshmoi sërish rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin dhe kontingjentin e rrezikshëm të tij.

Gjej rastin që, nëpërmjet këtij mesazhi, të ngushëlloj familjarët e 2 viktimave, të uroj shërim të shpejtë për të lënduarit, si dhe t’i garantoj se Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër.

Këtë vendosmëri e dëshmoi edhe goditja në lagjen “Guerrile”, ku informacioni i administruar me konfidencialitet të plotë dhe profesionalizmi operacional çuan në shkatërrimin e një baze kriminale, të pajisur me arsenal armësh dhe sende të tjera në dispozicion të krimit. Gjithashtu, çuan në identifikimin e 2 përkrahësve të autorit të krimit të djeshëm.

Së fundi, dua të garantoj qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë Shqipërisë se beteja jonë për sigurinë e tyre është e përditshme dhe e palëkundur, dhe se po kryhet një punë intensive hetimore dhe operacionale për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura.

Gjithashtu, i ftoj qytetarët të bashkëpunojnë intensivisht me strukturat e Policisë, pasi vetëm në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë madhor i përbashkët: siguria publike.”/vizionplus.tv 

Vazhdo të lexosh

Reklamë