Masa e sigurisë për Erion Veliajn, qindra mbështetës të kryebashkiakut mblidhen para Gjykatës
Me qindra mbështetës u mblodhën sot para Gjykatës së Posaçme në nisje të seancës që do të vendosë nëse kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në qeli apo jo.
Veliaj u shoqërua nga blloku i sigurisë drejt Gjykatës, për tu njohur me vlerësimin e masës së sigurisë të dhënë nga gjyqtarit Erion Bani.
Pak minita para nisjes së seancës në Gjykatë mbërriti edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, e cila është lënë në “arrest shtëpie”.
Sot njihen me masën e sigurisë edhe 4 biznesmenë, me përjashtim Të Sokol Kryeziut i cili sipas burimeve nuk ndodhet në Shqipëri dhe masa e detyrimit të paraqitjes ndaj tij nuk është ekzekutuar ende.
Ndërkohë, sapo është çelur seanca, avokatët mbrojtës kërkuan kohë për tu njohur me aktet dhe 66 fashikujt e dosjes hetimore.
Rreth 30 minuta më vonë, gjyqtari vendosi ndërprerjen e seancës për shkak të kërkesës së avokatëve dhe rifillimin e saj në orën13 e 30.
Kryebashkiaku i Tiranës, është në arrest në burg pasi Gjykata e Posaçme arsyetoi se ai mund t’i largohej hetimeve për shkak të veprave të rënda penale për të cilat akuzohet: korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Procesi ndërkohë është ndjekur jashtë nga shumë mbështetës të kryebashkiakut Veliaj, të cilët lajmëruan se do të rikthehen në Gjykatë kur të rinisë seanca.




