Një memorandum mirëkuptimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, i nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump, synon t’i japë fund përplasjeve ushtarake dhe të hapë rrugën për një fazë të re negociatash mbi programin bërthamor iranian dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.
Sipas dokumentit, palët angazhohen për ndërprerjen e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si dhe për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të njëra-tjetrës.
Për Izraelin, kjo konsiderohet një nga pikat më shqetësuese të marrëveshjes. Qeveria e Netanyahut nuk dëshiron që çështja e Iranit të lidhet me situatën në Liban. Gjithashtu, ajo kundërshton çdo mundësi që Hezbollahu të përfitojë indirekt nga kjo marrëveshje dhe nuk pranon që veprimet e ushtrisë izraelite të kufizohen nga një marrëveshje në të cilën Izraeli nuk është palë.
Memorandumi parashikon gjithashtu rifillimin e bisedimeve për çështjen bërthamore dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje nëse është e nevojshme.
🚨 President Donald J. Trump has SIGNED the Iran Memorandum of Understanding at Versailles in France. 🇺🇸 pic.twitter.com/JQ6qlbvFAF
— The White House (@WhiteHouse) June 17, 2026
Në aspektin ekonomik, SHBA-ja pranon të nisë heqjen graduale të bllokadës detare ndaj Iranit dhe të lehtësojë eksportet e naftës iraniane. Dokumenti përfshin edhe plane për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Iranit, me investime që mund të arrijnë deri në 300 miliardë dollarë, kryesisht nga partnerë rajonalë në Gjirin Persik.
Një nga pikat më të rëndësishme lidhet me Ngushticën e Hormuzit, ku Irani angazhohet të garantojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare pa tarifa për një periudhë 60-ditore. Kjo lëvizje synon të stabilizojë tregtinë globale të energjisë pas tensioneve të fundit në rajon.
Sa i përket programit bërthamor, Irani riafirmon se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe pranon mbikëqyrjen e materialeve të pasuruara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Megjithatë, materiali bërthamor do të mbetet brenda territorit iranian, çka lë ende disa pikëpyetje për të ardhmen e programit.
Marrëveshja parashikon edhe krijimin e një mekanizmi monitorimi për të verifikuar zbatimin e detyrimeve nga të dyja palët. Deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, Irani nuk do të zgjerojë aktivitetet e tij bërthamore, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja ose forca shtesë ushtarake në rajon.
Analistët vlerësojnë se memorandumi nuk e zgjidh përfundimisht krizën bërthamore iraniane, por krijon një periudhë qetësie dhe negociatash.
Ndërkohë, Izraeli mbetet skeptik, duke argumentuar se marrëveshja kufizon konfliktin, por nuk eliminon rrezikun që paraqet programi bërthamor i Iranit.





