Kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, informojnë presidentin Gjorge Ivanov për marrëveshjen e arritur me Greqinë mbi emrin e ri. Ata do të diskutojnë edhe për përplasjen që emri i ri ka me Kushtetutën e vendit. Ndryshimet ne ligjin themeltar janë kundërshtuar në mënyrë kategorike nga presidenti Ivanov.

 

“Arritja e marrëveshjes ndërkombëtare duhet të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën e Maqedonisë dhe jo ta parashikojë ndryshimin e saj. Është joserioze dhe e papërgjegjshme që çështja e emrit të arrihet përmes telefonit mes dy kryeministrave”, thuhet në reagimin e presidentit.

 

Marrëveshja është kundërshtuar edhe nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE. Kreu i kësaj partie Hristjan Mickovski, në një deklaratë për shtyp tha se kjo marrëveshje nënkupton kapitullimin e Maqedonisë.

 

 “Sot është një ditë e vështirë për Republikën e Maqedonisë. Negociatat u mbajtën të fshehta. Nëse marrëveshja është të pranojmë një ndryshim në kushtetutë dhe të ndryshojë emrin për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm, kjo është një marrëveshje kapitullimi”

 

Por kryeministri grek Alexis Cipras, tha një ditë më parë se marrëveshja e arritur ruan identitetin e gjuhën maqedonase. Nga ana tjetër, arritja e marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së emrit, është mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Zëdhënësja Heather Nauerty tha se kryeministrat Zaev dhe Cipras shfaqën vizion, guxim dhe këmbëngulje për gjetjen e një marrëveshje për të dyja palët,

 

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg përshëndeti zgjidhjen e çështjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës, duke thënë se kjo është një marrëveshje historike.

 

Emri i ri do të fillojë të përdoret pasi marrëveshja me Republikën e Greqisë do të ratifikohet nga parlamentet e të dy vendeve, në mënyrë që deri në fund të vitit, Greqia të miratoje edhe protokollin për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO. Nga ana tjetër, kryeministri Zaev ka lajmëruar se në vjeshtë do të mbahet një referendum ku qytetarët maqedonas do të vendosin për fatin e marrëveshjes së arritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *