Marrëveshja Brexit, Theresa May e “friksuar” nëse nuk miratohet

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë të dielën se Britania do të përballet me një situatë të panjohur nëse plani i saj për Brexit do të kundërshtohet nga Parlamenti i Britanisë gjatë këtij muaji.
“Ne do të jemi në një territor të panjohur. Nuk mendoj se dikush mund të thotë se çfarë saktësisht do të ndodhë sa i përket reagimit që do ta shohim në parlament”, ka thënë ajo për BBC-në.
Britania pritet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars mirëpo paaftësia e kryeministres May që të sigurojë mbështetje për planin e saj, ka alarmuar liderë biznesorë dhe investitorët, për shkak të mundësisë së Brexitit pa marrëveshje.
May ka thënë se planifikon që votimi në Parliament të ndodhë rreth datës 15 janar, duke hedhur poshtë raportet se do ta shtyjë votimin sërish.




