Subscribe

Një shkrim i prestigjiozes “The Guardian” i kujtoi europianëve që markat me emër që ata blenë me çmime marramendëse në rrugët e Londrës apo Milanos, bëhen në vende ku paga e një punëtori është më e vogël edhe se një palë këpucë. Shkrimi i gazetës britanike hidhte dritë mbi origjinën e veshjeve apo këpucëve, të cilat nuk ishin Italia apo Anglia, siç kishin emërtimin të gdhendur mbi produktin, por Shqipëria, Maqedonia e Bullgaria, vende të cilat shfrytëzojnë punëtorët, duke punuar jashtë orarit dhe në kushte të tmerrshme pune. Por si punon një fabrikë fasonësh në Shqipëri?
Flamur Hoxha është një sipërmarrës që ka më shumë se një dekadë që punon në sektorin e fasonëve. Ai tregon se ndryshe nga vende të botës së tretë, si India, Vietnami apo shtetet afrikane që punojnë me materiale porositëse për shkak të krahut të lirë të punës, Shqipëria e ka ndryshuar këtë mentalitet. Investimet në pajisje dhe kushtet e punës ku përfshihet një pagë e kënaqshme janë të njëjta me vendet fqinjë si Greqia e Serbia.
Kjo ka bërë që emra të famshëm të markave që tregtohen në dyqanet më të mëdha të modës në kryeqytetet e Europës të zgjedhin Shqipërinë si vend prodhimi. Këtë vit, firma e Flamurit po bën koleksionet pranverë 2017-të për “Gianfranco Ferre”, “Polo”, “Hermont& Blant” apo “Aciuasquito”.
Kostoja e një këmishe që prodhon fabrika e tij shkon nga 10 deri në 15 euro dhe më pas shitet 7 deri në 10 herë më shumë në dyqanet e pakicës. Artikullin e The Guardian, fasonët shqiptarë e shohin si një luftë që po i bëjnë Shqipërisë vende që nuk e duan atë në Bashkimin Europian. Fasonët tregojnë se kodet e eksporteve të materialeve janë të kontrolluar në çdo doganë të BE-së dhe nuk ka pse të ketë asnjë frikë për veshjet që prodhohen këtu. Po ashtu ata thonë se të gjithë punonjësit janë të siguruar, pasi nëse rezulton e kundërta gjoba më e vogël nis nga 3500 euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *