Subscribe

Qytetarët e Maqedonisë vijojnë të votojnë për zgjedhjen e krerëve komunalë. Drejtuesit e njësive të votimit në zonat me shumicë shqiptare, shprehen se procesi vazhdon të jetë i qetë dhe pa incidente serioze, përveç disa raportimeve për fotografim të fletës së votimit.

 

Komisioni Shtetëror Zgjedhor në një njoftim për mediat u shpreh se deri në orën 13:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 27.11% e qytetarëve.

 

Ambasada e SHBA-së në Shkup kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

 

Gara në këto zgjedhje konsiderohet e fortë.

 

Pas krizës politike, dy forcat politike më të mëdha i kanë përqendruar forcat në Shkup, por edhe në qytetet tjera më të mëdha si në Tetovë, Manastir, Kumanovë, Prilep, Shtip, Strumicë dhe Ohër.

 

Këtë radhë kreu i partisë maqedonase në pushtet, Zoran Zaev, garon në koalicion me partitë shqiptare. Në garën për kreun e Shkupit, shqiptarët pritet të votojnë kandidatin e LSDM-së Petre Shilegov, i cili është në garë me kandidatin e VMRO-së Koce Trajanovski, i cili kërkon një mandat të dytë.

 

Në partitë shqiptare beteja zhvillohet mes BDI-së e cila është në pjesë e pushtetit qendror dhe dy partive opozitare Lëvizjes Besa e PDSH-së, por edhe Aleancës për Shqiptarët, e cila megjithëse është në koalicionin qeveritar, në këto zgjedhje sfidon BDI-në.

 

Gara kryesore mes partive shqiptare zhvillohet për Çairin, Tetovën, Gostivarin, Strugën, Dibrën dhe disa komuna të tjera rurale.

 

Të paktën 1 milionë e 800 mijë qytetarë votojnë për 260 kandidatë. Ndërkohë, rreth 5.000 vëzhgues të organizatave joqeveritare të Maqedonisë dhe 373 vëzhgues të huaj, nga misioni ODIHR i OSBE-së, po ndjekin procesin zgjedhor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *