Maqedonia e Veriut të shtunën ka regjistruar 200 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi i ri. Kjo paraqet rritje të infektimeve krahasuar me periudhën e para një jave, kur numri i infektimeve ishte nën 100 brenda 24 orëve. Të dhënat i referohen testimit 1,828 mostrave.

Numri më i madh të infektuarve me koronavirusin e ri është regjistruar në Shkup, gjithsej 65 raste, ndërsa rritje të rasteve ka edhe në Shtip (21) dhe Kumanovë (14). Numër më të vogël ka në 20 qytete tjera.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar edhe për katër viktima të reja; në Shkup, Kumanovë, Gostivar dhe Makedonski Brod. Viktimat janë të moshës mbi 50 vjeç, të cilët vuanin edhe nga sëmundje tjera kronike.

Numri i viktimave nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 523, ku më shumë se gjysma e viktimave janë në Shkup.

Në spitalet e vendit janë të shtruar 372 persona, prej tyre vetëm në Klinikën Infektive janë 80 persona, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.

Deri tani gjithsej janë testuar 113,619 persona.Të shtunën janë shëruar vetëm se 15 persona, që paraqet shifrën më të ulët të të shëruarve brenda një ditë në dy muajt e fundit.

Nga 11,754 persona të diagnostikuar me koronavirusin e ri, janë shëruar 7,622, ndërsa 3,609 janë ende aktivë

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në një postim në rrjetin social Facebook me titull “më rëndë merret frymë me respirator, mbajë maskën”, i ka bërë thirrje qytetarët që të respektojnë masat, në veçanti maskat, të cilat siç ka thënë do të jenë përditshmëri.

“Kur dy persona mbajnë maska në mënyrën e duhur, mundësia e infektimit është vetëm se 1.5 për qind. Mbaj maskën, ruaje distancën, mos rrini në grupe”, ka shkruar Filipçe./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *