Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e votoi qeverinë e re pas dy ditë debatesh të ashpra mes deputetëve të shumicës parlamentare dhe deputetëve të opozitës.

 

Me shumicë votash, 62 pro dhe 46 kundër, parlamenti i Maqedonisë së Veriut e votoi qeverinë e re të vendit, e cila do të drejtohet nga socialdemokrati Dimitar Kovaçevski. Kryeministri i ri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij para deputetëve theksoi, se ka plane konkrete për zhvillimin e vendit dhe se puna e qeverisë së re do të përqëndrohet në tri prioritete: përballjen me krizën energjetike, pandeminë e koronavirusit, rritjen e standardit jetësor të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe realizimin e investimeve strategjike. “Qeveria do të angazhohet seriozisht edhe për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, por përjashtohet çdo mundësi që të bisedohet edhe për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin”, është shprehur Kovaçevski.

 

Kryeministri i ri hodhi poshtë kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme. “Qeveria ka legjitimitet të pakontestueshëm sidomos me zgjerimin e deputetëve shumica është e sigurt. Zgjedhje do të ketë por në vitin 2024. Prej nesër filloj nga puna. Do të kem takime me ministren gjermane. Të martën do të takohem me kryeministrin bullgar Petkov, nga i cili do të kërkoj mbështetje për popullin e Maqedonisë dhe zgjidhje të kontestit”, ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski.

 

VMRO-DPMNE: Qeveria e re nuk ka legjitimitet

 

VMRO DPMNE në opozitë kanë reaguar duke theksuar, se qeveria që do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski nuk ka legjitimitet, pasi ai nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, nuk ka kërkuar besimin e qytetarëve dhe nuk ka marrë asnjë votë prej tyre andaj edhe nuk ka legjitimitet për të drejtuar qeverinë”. “Në kohën kur kemi krizë të rëndë ekonomike, shëndetësore dhe energjetike, mandatari për kryeministër flet për gjendje të mirë ekonomike dhe rritjen e prodhimit bruto të vendit. Si mund të harrojmë se kemi inflacion, se qytetarët nuk kanë as bukë për të ngrënë, kur çmimet e produkteve po rriten, kur paraja po humb vlerën? Kjo është tallje me ndjenjat e qyetarëve”, ka thënë deputetja e VMRO-DPMNE-së, Blagica Lasovska.

 

LSDM: Debatet e opozitës – folklor politik 

LSDM-ja është kundërpërgjigju. Deputetët e saj kanë thënë, se partitë që do të jenë pjesë e qeverisë së re kanë legjitimitet të plotë ta udhëheqin vendin, sepse në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë marrë mbështetjen e qytetarëve. Koordinatori i grupit parlamentar i LSDM-së, Jovan Mitrevski, deklaroi se nuk pret që të pajtohen të gjithë deputetët për mbështetjen e qeverisë.

Mitrevski akuzoi opozitën se gjatë debatit kishte shumë folklor politik. “Për mua folklor politik është të akuzohet legjitimiteti i Kovaçevskit se nuk ka dalë në zgjedhje. folklor politik është të kërkosh zgjedhje parlamentare. Presioni i opozitës për zgjedhje të shpejta lokale shpejt do të dëshmohet se bëhet për shkak se do të shihen menjëherë paaftësitë e kryetarëve të komunave të VMRO-DPMNE-së”, është shprehur Jovan Mitrevski.

 

Reagime nga partitë shqiptare

Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët po ashtu e sheh me dyshim legjitimitetin e qeverisë së re. Nëse flasim për legjitimitetin si koncept qeveria e ka humbur edhe mandatari po ashtu e ka humbur, ka thënë Sela. Është e vërtet se mandatari nuk ka dalë vetë të kërkojë besim nga qytetarët dhe ai nuk ka obligim ndaj tij. “BDI premtoi se do të ketë kryeministër të parë shqiptar me mandat 4 vjeçar, i cili ende nuk është. E tani arsyetohet se do të ketë kryeministër të parë shqiptar në 100 ditët e fundit të Qeverisë. Por vetë e dëshmoni se nuk keni legjitimitet.Faktori i tretë është Alternativa, e cila nuk ka marrë legjitimitet për të mbajtur BDI-në në Qeveri”, ka deklaruar Ziadin Sela. Kurse deputetja e BDI-së Arta Bilalli ka akuzuar  opozitën shqiptare se bashkëpunon me Levicën dhe me parti anti-shqiptare. Bilalli ka thënë se BDI do të mbështesë qeverinë e Kuvaçevskit, pasi ajo do të punojë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

 

Reagime pas votimit të qeverisë së re ka pasur edhe nga deputeti i partisë “E Majta”, Dimitar Apasie. Ai e ka kritikuar përbërjen e qeverisë, respektivisht numrin e madh të ministrave shqiptarë, që sipas tij, flet për tendencën për “shqiptarizimin e Maqedonisë”. “11 poste ministrore për maqedonasit dhe 10 për shqiptarët. Pra, kjo është një tirani kornizë, një gjysmë protektorat, një shtet paralel në një shtet ku të rinjtë maqedonas dhe shqiptarë nuk komunikojnë”, ka deklaruar Apasiev. Qeveria e re do të ketë 21 anëtarë; 17 ministra dhe 4 zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate do të ketë 12 anëtarë të Qeverisë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published.