Maqedonia e Veriut duke nisur nga kjo e mërkurë nuk do të ketë më kufizim të orarit për lëvizjen e qytetarëve. Vendi fqinj gjatë dy muajve të fundit të përballjes me pandemine e koronavirusit, ka zbatuar masa strikte për shtetrrethimin, të cilat gjatë fundjavave shkonin deri në 68 orë izolim, të shoqëruara me gjoba për shkelësit.

Qeveria gjithashtu ka vendosur që objektet hotelierike, baret dhe restorantet të hapen që nga dita e enjte. Nisja e këtyre aktiviteteve sipas ekspertëve është hapi i radhës duke respektuar protokollet e higjienes dhe distancimin social. Në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve, në protokollin e hartuar për masat që duhet të respektohet gjatë realizimit të procesit elektoral, nuk ka ndonjë rekomandim të shtuar  nga ato të vendosura për rinisjen e aktiviteteve të tjera.

Komisioni për sëmundjet infektive propozoi edhe hapjen e kufijve që nga 1 qershori. Por për qeverinë e Shkupit është ende herët të marrë një vendim të tillë, ndaj këtë rekomandim do ta shqyrtoje në mbledhjen e ardhshme të kabinetit.

Maqedonia e veriut i druhet edhe një vale të dytë. Shefi i qeverisë Oliver Spasovski, deklaroi se nëse në të ardhmen rritet numri i të infektuarve, do të kthehen masat kufizuese.

Të gjitha vendet e tjera të rajonit  kanë deklaruar hapjen e kufijve. Aktualisht vetëm Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë një datë zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *