Dy viktima nga koronavirusi në 24 orët e fundit e kanë çuar numrin në 13 të vdekjeve nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut. Një 70 vjeçar nga Kumanova me hipertension dhe sëmundje të zemrës dhe një 68 vjeçar nga rrethi i Tetovës me hipertension arterial kanë humbur jetën në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup.

Ndërkohë, janë shtuar më shumë raste të të infektuarve deri tash brenda një dite, gjithsej 46 duke e ngritur numrin e të prekurve në 430. Vetëm nga Shkupi gjithsej janë 208 persona me COVID-19. Nga ana tjetër, tre pacientë janë lëshuar nga spitali për në shtëpi pasi mjekët kanë konstatuar se ata janë shëruar.

Numri më i madh i të prekurve ditën e fundit janë nga Kumanova, 23 dhe Shkupi 13. Në Kumanovë është konfirmuar se gjysma e të infektuarve të fundit janë mjekë dhe personel mjeksor.

Qeveria ka vendosur që ta vë Kumanovën në karantinë gjatë fundjavës; ora policore do të fillojë sonte, e premte nga ora 21 deri të hënën në orën 5 dhe ditëve të tjera nga 16 deri në 5.

Në Dibër pas dy ditësh që nuk pati raste të reja, përsëri janë shfaqur dy qytetarë të prekur, po aq sa edhe në Tetovë, Gostivar dhe në Prilep.

Ndërkohë, një grua lehonë ka rezultuar e prekur në Klinikën e gjinekoligjisë në Shkup dhe ajo është transferuar në klinikën infektive. Foshja e saj, ndërkaq e lindur para tre ditësh ka rezultuar negative.

Autoritetet shëndetësore njoftojnë se janë bërë mbi 4500 teste.

Autoritetet po ashtu bëjnë të ditur se kanë mbyllur 20 objekte hotelierike në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë dhe në Manastir ku nuk respektoheshin udhëzimet lidhur me masat për mbrojtjen nga koronavirusi./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *