Subscribe

Parlamenti në Maqedoni mblidhet sërish këtë të premte për të kaluar ndryshimet kushtetuese për emrin e ri të vendit. Por kryeministri Zaev nuk është ende i sigurte për 80 votat e nevojshme për miratimin e amendamenteve.

 

“S’mund të them në këtë moment se i kemi 80. Ditët janë të numëruara, sepse procedura ka nisur. Opozita e VMRO DPMNE-së në krye me Mickoskin nuk është aty, kështu që logjika thotë se duhet votuar, dhe nëse nuk votohet, atëherë përgjegjësinë për procesin do ta mbajmë të gjithë, megjithatë është vendimi i deputetit, secili e di përgjegjësinë e tij dhe do të jetojmë me këtë përgjegjësi.”

 

Për të arritur shumicën e nevojshme, kreu i qeverisë kërkon votën e dy deputetëve të partisë opozitare Besa të Bilall Kasamit. Por ende nuk ka një marrëveshje pasi kjo e fundit  përmes amendamentit, synon rregullimin e përcaktimit të shtetësisë.

 

Partia Besa që ka dy deputetë kërkon që tek shtetësia në dokumentet e shqiptarëve të mos figurojë formulimi: maqedonas/ shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

Megjithëse marrëveshja vështirë të arrihet, Zaev pranon se për kërkesat e Besës mund të gjendet një zgjidhje.

 

“Në esencën e Besës është që përmes formulimit “maqedonase/qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore”, të mos lihet përshtypja se shqiptarët, turqit, serbët, vllahët, boshnjakët, romët dhe të tjerët në shtet, do të jenë “maqedonas”. Kjo është esenca. Këtu gjenden aspektet teknike të zgjidhjes. Sigurisht që shtetësia është “maqedonase”, me “maqedonase” ashtu edhe do të mbetet. Në fund padyshim, Besa nuk kërkon të ndryshohet identiteti apo diçka të  ngjashme. Megjithatë që shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike të mos jenë “maqedonas”, sepse nuk janë maqedonas, ata janë shqiptarë të Maqedonisë, janë turq të Maqedonisë, serb të Maqedonisë. Ky është formulimi që gjendet.”

 

Por kërkesën e lëvizjes Besa, e kundërshtojnë 8 deputetët e përjashtuar  nga VMRO DPMNE të cilët votuan ndryshimet kushtetuese të fazës së pare. Ata thonë se me vendosjen e gjuhës shqipe zbehet koncepti i shtetit maqedonas dhe krijohet një sistem paralel.

 

Ndërkohë, Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi bëri të qartë se pa sigurimin e numrave të nevojshëm nuk do të nisë procedura e miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *