Ambasadorja amerikane Yuri Kim u “zhvesh” për pak sekonda nga kostumi i diplomates për të folur sipas saj, troç, dhe për këtë kërkuar që drejtësia e re të godasë në çdo kah e pa asnjw dalim.

 

Në kohën kur reforma në drejtësi po sulmohet, Kim deklaroi se falë këtij procesi, të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit.

 

YURI KIM
AMBASADORE E SHBA NE TIRANE

“Çfarë është drejtësia? Si do të duket Shqipëria kur reforma në drejtësi të jetë zbatuar? Ne do të dimë që kjo reformë ka rezultuar e suksesshme kur të mos kemi gjyqtarë dhe prokurorë që sillen keq në sistem. Po ashtu, do të quhet e suksesshme kur të mos mendojmë se është e përshtatshme që drejtuesit politikë me apo pa pushtet, të thonë që drejtësia bëhet vetëm kur tjetri përfundon në burg, por jo kur një i anës time shkon në burg. Kjo nuk është drejtësi. Këto nuk janë standardet që do populli shqiptar për këtë reformë. Populli shqiptar do një drejtësi të verbër, që zbatohet njësoj për të gjithë. Njerëzit ndiqen penalisht sepse shkelin ligjin, jo sepse janë apo jo në pushtet.”

 

Gjatë konferencës me temë “Drejtësi në kohë sfidash”, Yuri Kim u shpreh se sfida e drejtësisë tonë është të lërë pas të shkuarën.

 

“Kërkesat e BE janë të qarta. Veprimet e SHBA kanë treguar qartë se mbështetja jonë për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri janë më të forta se kurrë. Po aq e qartë është edhe pritshmëria e njerëzve, ndaj ju nxis që të veproni. Është koha që të ecim përpara, nuk duhet të vazhdojmë me drejtësinë e të shkuarës. Duhet të krijojmë një drejtësi që është me të vërtet e drejtë.”

 

Por kur flitet për drejtësi të re, edhe ministri i Drejtësisë mendon njësoj si kryeministri Edi Rama: ajo nuk mund të kuptohet pa vënë përballë ligjit ish-kryeministrin Sali Berisha.

ULSI MANJA
“Ore kur do hapen nga drejtësia e re petët e lakrorit të këtij njeriu që e ka pasur okllainë e pushtetit në dorë kur kanë ndodhur gjëmat dhe skandalet më të mëdha në këtë vend?! Nëse është i pafajshëm siç ulërin me të madhe, dhe një dynja e gjitha, bashkë me vetë shtetin amerikan kanë lajthitur deri në pikën që t’i bien në qafë një plaku qelibar, atëherë le të na e thotë pra drejtësia e re këtë! Të hetohet roli i tij në 21 janar, të hetohet roli i tij në Gërdec, të hetohet roli i tij në aferat e bujshme të Çez/Dias, apo klubit Partizani, të hetohen edhe burimet financiare të djalit të tij, që atje në Amerikë është bërë edhe personazh filmash e librash… dhe nëse në të gjitha këto punë që nuk duken hiç të bardha, zotëria del i larë, hajde t’i kërkojmë falje dhe t’i kërkojmë edhe Amerikës t’i kërkojë falje!”

 

Edhe ministri Manja mendon se deri më sot, organet e drejtësisë së re kanë vepruar vetëm mbi personazhe dytësorë, duke mos përmbushur pritshmëritë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *