Sektori i manifakturës në vend po kalon ditë të vështira. Si pasojë edhe i zhvlerësimit të monedhës evropiane shumë ndërmarrje janë mbyllur, disa janë ridimensionuar dhe këto ndryshime kanë sjellë jo pak kosto. Të dhënat flasin se gjatë këtij viti në këtë sektorë numërohen gati 10 mijë punëtorë më pak.
“Nëse do tu referohemi të dhënave ne kemi numëruar gati 60 mijë të punësuar në vitin 2023. Por viti aktual pritet të mbyllet me 50 mijë të punësuar. Këto shifra ne i konsiderojmë tejet shqetësuese për vetë sektorin dhe ekonominë në tërësi. Sektori ka rënë me 5 % gjatë këtij viti”, tha Florian Zekja gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE”.
Por edhe pse këtij sektori ju dha një mbështetje gjatë këtij viti, duke ofruar garanci sovrane në masën 1 miliardë lekë, sërish ky instrument financiar nuk rezultoi efikas.
“Kjo mbështetje, garancia sovrane u bë efektive në muajin gusht, një kohë aspak e përshtatshme për ne. Deri tani që flasim nga shuma prej 1 miliardë lekësh që ishte kjo garanci ne besojmë se maksimumi 20% e saj është përthithur. Normat e kredisë ishin 1.5% plus bono thesari, çka do të thotë se arriti një normë prej afro 5%, ndërkohë që sektori bankar e ka 7-8%”, tha Zekja në Vizion Plus.
Por garancia sovrane është konceptuar për tu ofruar çdo vit nga 1 miliardë lekë. Ndaj mbetet për tu parë nëse dhe në vitin e ardhshëm qeveria do të vijojë të aplikojë këtë mbështetje, e cila minimalisht duhet të jetë efektive që në fillim të vitit. Nga kjo garanci përfitonin vetëm ato biznese që kishin nevojë për financim për investime, por jo bizneset që ishin në kushte të vështira financiare./vizionplus.tv