Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se po merren të gjitha masat për përballimin e situatës vjeshtë-dimër dhe se programi i kontrollit, i cili parashikon vaksinimin ndaj gripit është pjesë e strategjisë për përballimin e situatës së shkaktuar nga Covid.

“Deri tani sipas përllogaritjeve për mbulesën vaksinale të shtuar, kemi bërë porosinë e serisë së parë të vaksinave dhe ndërkohë që vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina përsa i përket situatës që do të përballemi gjatë muajve tetor-dhjetor e në vijim”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha mes të tjerash se sipas strategjisë dhe planit të veprimit po forcohen kapacitetet e testimit.

“Po përgatitemi për të vijuar përballjen me epideminë e Covid, që sipas strategjisë dhe planit të veprimit aktiv që ne kemi aktualisht, jemi duke forcuar kapacitetet e testimit, gjurmimit, hetimit epidemiologjik, kapaciteteve të spitaleve.”

Nga ana tjetër, Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik u shpreh se gjatë kësaj kohe është bërë vlerësimi i kategorive të riskut të cilët duhet të vaksinohen ndaj gripit, por që njëkohësisht janë edhe më të prekshëm nga Covid-19.

“Ne kemi bërë vlerësimin dhe rivlerësimin e kategorive të riskut, të cilat janë të rëndësishme për vaksinimin ndaj gripit dhe njëhkohësisht janë subjekte të cilat janë dhe më të prekshme nga Covid19. Për shembull, personat me sëmundje kronike, natyrisht punonjësit shëndetësorë, mësuesit dhe të gjithë kujdestarët të cilët kujdesen për fëmijët si dhe fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç, sepse ata transmetojnë më shumë gripin. Shpresojmë të kemi një situatë më të mirë të kontrollit të gripit, gjë e cila do të na ndihmojnë edhe për Covid19”, tha Bino.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *