Spitali “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet normalitetit, për të ofruar shërbimet si Spital Universitar i sëmundjeve të mushkërive. Lajmin e ka ndarë me mjekët dhe infermierët e spitalit Covid2 Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, duke vlerësuar punën e tyre në këtë periudhë të vështirë.

 

“Tashmë erdhi momenti për të lajmëruar mbylljen e këtij spitali, si spital Covid2, pra si spital që trajton pacientët me covid dhe rikthimin në normalitet, në shërbimet që ofron spitali universitar “Shefqet Ndroqi”. Të gjitha urgjencat e pacientëve me covid19 të Shqipërisë tashmë do të kalojnë në Spitalin Infektiv Covid1.”

 

Gjatë bashkëbisedimit me mjekët, Manastirliu tha se, pavarësisht rikthimit të spitalit “Shefqet Ndroqi” në normalitet, harmonizimi i shërbimeve do të jetë funksional për rastet post-covid dhe long-covid, që kërkojnë trajtim të specializuar.

 

Duke vlerësuar punën e madhe të stafeve mjekësore, ajo shtoi se miratimi për përdorim emergjent i vaksinës Sinovac nga OBSH është një lajm i mirë dhe ritheksoi se vaksinimi nuk do të ndalet.

 

“Drita në fund të tunelit është më e dukshme se asnjëherë tjetër. Por do duhet të vijojmë të jemi vigjilentë. Programi kombëtar i vaksinimit do të vazhdojë. Dje patëm edhe një lajm të mirë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar për përdorim emergjent vaksinën e Sinovac, pra Coronavac, si një vaksinë të sigurt, efektive. Ne po vijojmë me ritme shumë të kënaqshme programin e vaksinimit, duke diversifikuar në mënyrë të vazhdueshme portofilin e vaksinave dhe do të vijojë të jetë objektivi jonë kryesor, vaksinim, vaksinim, vaksinim, pasi vetëm duke vaksinuar, ne mund të mbrojmë jetën e qyetarëve, ashtu sikurse e kemi bërë deri me sot, ku shihet që impakti i vaksinimit ka dhënë një efekt real mbi uljen e kurbës epidemike, uljen e rasteve në spitale, uljen e fatataliteteve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *