Qendra e Specialiteteve në Paskuqan është pajisur me grafi të re digjitale, duke siguruar një shërbim të ri për 120 mijë banorët që mbulon kjo poliklinikë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu pa nga afër investimin e ri, ku deklaroi se po fuqizohet rrjeti i pajisjeve radiologjike në spitale dhe poliklinika, falë investimit prej 4.2 milion euro.

“Plani ynë për rritjen e kapaciteteve diagnostike, për aksesin në shërbimin shëndetësor, për fuqizimin e sistemit tonë shëndetësor, jetësohet ditë pas dite. Jo vetëm me spitalet rajonale, bashkiake por edhe me poliklinikat tona të specialiteteve, kryesisht në Tiranë, jemi duke zgjeruar polet e diagnostikës bazë. Në Qendrën e Specialiteteve të Paskuqanit, për herë të parë instalohet një grafi e fjalës së fundit të teknologjisë, që plotëson dhe kompleton shërbimin mjekësor për më shumë se 120,000 banorët që mbulon kjo qendër. Janë më shumë se 18 njësi, pra spitale rajonale, spitale bashkiake, poliklinika të specialiteteve, ku ne po instalojmë pajisje të radiologjisë bazë dhe ato të avancuar. Janë 18 grafi, 2 prej tyre instalohen në strukturat tona të poliklinikave të specialiteteve në Vorë dhe në Paskuqan; 4 eko; 4 skanera, të cilët do të fuqizojnë akoma më shumë shërbimin e imazherisë në spitalet tona dhe një angiograf, i cili pritet të instalohet në Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme ne QSUT”, tha Manastirliu.

Ministrja Ogerta Manastirliu tha se do të vijojnë investimet në shëndetësi për forcimin e kapaciteteve në të gjitha nivelet e shërbimit.

 

“Janë 4.2 milion euro Investime në imazheri që është pjesë e investimeve që jemi duke realizuar këtë vit. Ndërkohë do të vijojmë me përmirësimin e kushteve të qendrave shëndetsore, me investimin në 40 qendra të reja shëndetësore këtë vit. Kemi të përfunduar dhe pritet të vihet në funksion Spitali Bashkiak i Laçit, ndërkohë që vijon puna edhe në spitalet e tjera, duke punuar çdo ditë dhe duke investuar çdo ditë, në mënyrë që shërbimi shëndetësor të jetë sa më i aksesueshëm dhe sa më cilësor”, tha Manastirliu.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *