Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila drejton Sesionin e 71- të Komitetit Rajonal për Europën të OBSH, që po zhvillon punimet në Kopenhagen të Danimarkës, tha se Shqipëria është një ndër vendet e cila e ka përballuar me një qasje proaktive periudhën e pandemisë. Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se është drejt përfundimit negociata për një tjetër kontratë me kompaninë e vaksianve Pfizer, për të sjellë 500 mijë doza vaksine të tjera në vendin tonë.

 

“Jam e kënaqur të them se jemi duke negociuar dhe përfundojmë se shpejti një kontratë tjetër me kompaninë Pfizer për 500 mijë doza vaksine, të cilat do të mbërrijnë në 3-mujorin e fundit të këtij viti dhe natyrisht do të vijojmë të kemi një qasje proaktive për të rritur mbulesën vaksinale tek grupet e riskut, sidomos tek punonjësit shëndetësor, tek mësuesit dhe gjithashtu të gjithë punonjësit e shërbimeve në administratën publike”, bëri me dije Manastirliu.

 

Në takimin e nivelit të lartë që po mbahet në Kopenhagen, po vihet theksi nga të gjithë ekspertët, për të rivlerësuar arkitekturën e sistemeve shëndetësore, me mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19.

 

“Në këtë takim që ne drejtojmë në cilësinë e drejtueses së këtij sesioni të rëndësishëm të Komitetit Rajonal për Europën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, po vihet theksi me të gjithë ekspertët e fushave, se si do të rivlerësohet arkitektura e sistemit shëndetësor dhe se si do të vlerësohet dhe do të mbështetet sistemi shëndetësor në raport me kujdesin parësor, në raport me programin e vaksinimit dhe gjithashtu edhe me mbështetjen ndaj financimit të qëndrueshëm drejt mbulimit shëndetësor universal”, tha Manastirliu.

 

Drejtues të shteteve dhe ministra të shëndetësisë së 53 vendeve, drejtori i OBSH dr. Tedros Adhanom, drejtori i OBSH për Europën dr. Hans Kluge, me pjesëmarrjen e veçantë të Princeshës së Kurorës së Danimarkës dhe ekspertëve më të njohur botëror, dr. Fauci, prof. Monti, po diskutohet për mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19, për të ridimensionuar qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, nën dritën e pandemisë.

 

Ridimensionimi i kujdesit parësor, investimi për adresimin e problemeve të shëndetit mendor, Agjenda Europiane e Imunizimit 2030 dhe zbutja e pabarazive për aksesin në vaksina, janë në fokus të diskutimeve që po zhvillohen në Kopenhagen, në takimin më të rëndësishëm vjetor të Shëndetësisë për Europën, i cili zhvillon punimet nga datat 13-15 Shtator.

 

Është hera e parë që Shqipëria ka marrë drejtimin e Sesionit 71-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Europën, si vlerësim dhe njohje e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për menaxhimin e situatës së pandemisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *