Ministrja e Shëndetësië dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla inspektuan punimet për rindërtimin e qendrës shëndetësore të Gostimës.

 

“Kjo qendër shëndetësore ishte vërtet në kushte të degraduara dhe ndërhyrja ishte e domosdoshme, ndaj jam shumë e kënaqur që më shumë se 12 mijë banorët e kësaj zone, shumë shpejt do ta marrin shërbimin shëndetësor në kushte dhe standard bashkëkohore”, tha Manastirliu.

 

Ministrja e Shëndetësisë u ndal edhe te rëndësia e programit të 300 qendrave shëndetësore, që po mbërrin në çdo komunitet.

 

“Është një punë që ka nisur për të transformuar portën e parë të kujdesit shëndetësor, që është mjeku i familjes, me rindërtimin e 100 qendrave shëndetësore këtë vit, jo vetëm në qytete por edhe në fshatrat më të thellë, në zemër të komunitetit dhe për të vijuar me 120 qendra të tjera vitin e ardhshëm, në kuadër të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore”, tha Manastirliu.

 

Kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla nga ana tjetër theksoi se brenda mandatit do të rehabilitohen të gjitha qendrat e mëdha të qarkut të Elbasanit.

 

“Falenderoj Ministren që i është përgjigjur kërkesës së banorëve dhe mendoj se po ecim shumë mirë me programin e rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Besoj se sipas fjalës së dhënë, brenda mandatit do të rehabilitohen të gjithë qendrat e mëdha të qarkut të Elbasanit”, u shpreh Balla.

 

Në bashkinë e Cërrikut këtë vit përveç rikonstruksionit të qendrës shëndetësore Gostinë është duke u rikonstruktuar edhe ambulanca në fshatin Qyrkan.

 

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në qarkun e Elbasanit janë 16 qendra shëndetësore dhe ambulanca që janë përfshirë në Programin Kombëtar të Rehabilitimit të qendrave shëndetësore në këto dy vite, nga të cilat 7 kanë përfunduar në vitin 2018 dhe 9 përfundojnë brenda këtij viti.

 

Ndërkohë në të gjithë vendin, po sipas ministrisë, ka përfunduar rehabilitimi i 80 qendrave shëndetësore ndërsa janë në proces 100 qendra të tjera dhe pika ambulancash, nga veriu në jug.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *