Ditën e sotme është zhvilluar mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve i thirrur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me praninë e Ministrit të Brendshëm, Blendi Çuçi, Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi si edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe partnerë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në hapje të fjalës së saj tha se ajo që na bashkon në këtë takim është interesi më i lartë i fëmijëve.

 

“Këtu jemi të gjithë së bashku me kolegët ministra dhe me përfaqësuesit e tjerë të qeverisë, por gjithashtu edhe me institucionet e pavarura, me organizatat e shoqërisë civile dhe me vetë prezencën e përfaqësive të fëmijëve, për t’u angazhuar të gjithë së bashku, për të bërë një hap më shumë drejt fuqizimit të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve; për të bërë një hap më shumë drejt gjithëpërfshirjes dhe mbështetjes së fëmijëve; për të bërë një hap më shumë, në rritjen e investimeve në çdo sektor për të siguruar mirëqënien e fëmijëve tanë”, tha Manastirliu.

Duke folur për Agjendën Kombëtare për të Drejtat e fëmijëve 2021-2026, Manastirliu vuri theksin tek parandalimi dhe ndihma e menjëhershme për fëmijët në situatë risku.

 

“Ky Këshill ka ka një vlerë të shtuar në gjithë mekanizmin e sistemit të parandalimit të atyre fenomeneve që rrezikojnë më shumë fëmijët tanë. Nëse i gjithë zinxhiri i parandalimit funksionon sahat, duke filluar nga shkolla, tek policimi në komunitet, tek sistemi i mbrojtjes sociale, tek sistemi shëndetësor, tek drejtësia sociale, jam e bindur që eliminimi i fenomeve që ekzistojnë nuk do të jetë thjesht një objektiv i 10 viteve të mëtejshme por do të jetë një objektiv që mund ta arrijmë shumë shpejt”, tha Manastirliu.

Dukë kërkuar ndërveprim më të mirë nëpërmjet strukturave, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se sfidë mbetet riintegrimi i fëmijëve.

 

“Jo më pak e rëndësishme është Integrimi i fëmijëve në situatë rrugë dhe fëmijëve në vështirësi sociale. Fakti që ne kemi zgjeruar strukturat me punonjës të të drejtave të fëmijëve padyshim që është një lajm i mirë. Por duhet që të gjithë ne me mbështetjen dhe rolin e pazëvëndësueshëm të shoqërisë civile të mos lëmë asnjë fëmijë që të arrihet të shpëtohet nga një situatë pa pasur më parë sistemin e parandalimit. Të mbrojmë fëmijët tanë duke parandaluar këtë fenomen. Kjo bëhet e mundur vetëm në sajë të bashkëpunimit me të gjitha strukturat në territor, shoqëri civile, institucione lokale, institucione qendrore dhe strukturat tona komunitare”, tha Manastirliu, duke bërë me dije se me Fondin Social janë mbështetur 10 bashki për ngritjen e shërbimeve për fëmijët me aftësi ndryshe apo në situatë risku.

 

Manastirliu e ka quajtur 2022-ishin vitin e fëmijëve për vëmendjen dhe investimet për fëmijët.

 

“Do të jetë viti i fëmijëve sepse vëmendja jonë do të jetë tek ata fëmijë që kanë më shumë nevojë. Tashmë është ligj dhe ne jemi plotësisht të angazhuar për ta bërë sa më parë funksional një angazhim të Kryeministrit për “Fëmijët në Përkujdesje të Republikës”. Gjithashtu, për të gjithë familjet që janë pjesë e programit të ndihmës ekonomike dhe kanë mbi 3 fëmijë, ne dyfishojmë masën e ndihmës ekonomike, ndërsa për fëmijët pa kujdes prindëror, trefishojmë masën e mbështetjes financiare për ta. Do të jetë viti i fëmijëve sepse do të jetësohen disa programe shumë të rëndësishme të qeverisë shqiptare, që tashmë kanë filluar të marrin trajtë e tyre, si një investim për çdo fëmijë përgjatë këtij viti dhe sigurisht edhe në vazhdim”, tha Manastirliu.

 

Mbledhja e Këshillimit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmiëjve u mblodh për të koordinuar të gjitha institucionet me qëllim zbatimin e objektivave të Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2021-2026.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *