Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se brenda vitit do të rindërtohen 10 qendra shëndetësore dhe ambulanca në Bashkinë e Tiranës, ndërsa 120 në të gjithë vendin.

Manastirliu tha nga qendra shëndetësore nr. 1 në kryeqytet se asnjë pacient kronik nuk ka mbetur pa shërbim mjekësor.

 “Të gjithë mjekët e familjes, infermierët, me organizimin e sistemit shëndetësor kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të ruajtur shëndetin e qytetarëve, sidomos të të sëmurëve kronike në këtë periudhë epidemie. Këtë e tregon fakti se rreth 40 mijë receta me rimbursim më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, janë marrë falas nga pacientët kronikë, që tregon se shërbimi për askënd nuk ka munguar.”

Po ashtu, ajo vlerësoi edhe punën e mjekëve të familjes në ndjekjen e pacientëve të prekur nga COVID-19, të cilët janë asimptomatikë apo me shenja të lehta, ndërsa deklaroi mes të tjerash se do të vijojë programi i 300 qendrave shëndetësore.

“Janë mbi 240 qytetarët të prekur nga COVID19, të cilët janë asimptomatikë ose me shenja të lehta të sëmundjes, të cilët aktualisht po ndiqen nga 100 mjekë familje, sipas zonave ku ata banojnë, për monitorimin e gjendjes së tyre shëndetësore. E di që e keni pritur prej kohësh dhe jam e kënaqur t’ju them se ju si staf dhe të gjithë banorëve të njësive bashkiake nr. 1 dhe 2 në Tiranë, që do të keni një qendër të re shëndetësore, pra do të zhvendoseni në një qendër më të madhe e cila do të rehabilitohet këtë vit, në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *