Manaj zhbllokohet me supergol te Piza (video)

Një supergol, i pari me fanelën e Pizës për Rei Manajn. Por që fatkeqësisht nuk e gëzoi dot, bashkë me fitoren e skuadrës së tij. U desh ndeshja e nëntë në Serinë B – ajo kundër Viçencës – që ish-interisti të zhbllokohej më në fund te skuadra, ku erdhi në fillim të këtij viti.
Ndryshe nga zakonisht, sulmuesi shqiptar nuk u aktivizua titullar, duke hyrë në lojë vetëm në minutën e 60’ të ndeshjes, kur rezultati ishte 0-0 dhe kundërshtarët në inferioritet numerik pas një kartoni të kuq. Por Reit i mjaftuan 4 minuta për të gjetur menjëherë golin, me një gjuajtje fluturimthi pas harkimit të ardhur nga e majta prej Peraltës.
Festën e këtij realizimi e ndau edhe me tifozerinë. Por gëzimi nuk zgjati shumë, pasi Viçenza arriti të përmbysë gjithçka, duke i shkaktuar humbjen 2-1 skuadrës së lushnjarit dhe duke e bërë të pavlefshëm golin e tij.
Në një situatë të tillë, pas 30 javësh të luajtura, Piza e shqiptarëve gjendet e 17-ta në tabelën e renditjes dhe rrezikon seriozisht rënien nga Seria B. Por ndoshta tashmë ekipi i drejtuar nga Xhenaro Gatuzo mund të shohë me optimizëm këtë zhbllokim të Manajt. Duke shpresuar që gola të tjerë do të pasojnë nga ai, për të kontribuar kështu në largimin prej zonës së rrezikut.




