Maliq/ Situatë kritike nga zjarri në pyllin mbi fshatin Strelcë, ndërhyrja e vështirë për shkak të terrenit

Përpjekjet për shuarjen e zjarrit në pyllin me pisha mbi fshatin Strelcë, Njësia Administrative Gorë, Bashkia Maliq, vijojnë prej orëve të mesditës, ndërsa situata paraqitet ende problematike në kurorën e malit, ku terreni i thyer dhe i paarritshëm e bën ndërhyrjen jashtëzakonisht të vështirë.
Rreth 100 forca janë angazhuar në operacionin e shuarjes së flakëve, përfshirë efektivë të shërbimit zjarrfikës, punonjës të Bashkisë Maliq, forca të Policisë së Shtetit, si dhe banorë të zonës.
Strukturat janë të shtrira në disa drejtime për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbrojtur sipërfaqet e tjera pyjore.
Pylli i përfshirë nga flakët është kryesisht me pisha, ndërkohë që flakët kanë depërtuar në pjesën e sipërme të malit, duke e vështirësuar ndërhyrjen nga toka.
Forcat në terren po përdorin mjete të thjeshta dhe mjete zjarrfikëse aty ku është e mundur, ndërsa po shqyrtohet mundësia e përfshirjes së helikopterëve në rast përkeqësimi të situatës./vizionplus.tv




