E enjte, 12 Nëntor 2026 Fat i Hidhur deri në 16:30 Në vijim ora 16:30: Takohemi N'vizion Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Rajoni

Mali i Zi/ Presidenti Milo Gjukanoviç shpërndan parlamentin

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ka shpërndarë parlamentin, duke u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, që sipas ligjit për zgjedhjet, mund të mbahen në fund të majit ose në fillim të qershorit.

 

Kabineti i tij tha se dekreti për shpërndarjen e parlamentit u nënshkrua në mbështetje të Kushtetutës së vendit.

 

Reklamë

Presidenti Gjukanoviç, bëri të ditur “se nëse më 16 mars nuk ka pushtet të ri ekzekutiv, plotësohen të gjitha kushtet ligjore për shpërndarjen e parlamentit dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”.

 

Vendimi i tij erdhi pak orë para skadimit të afatit ligjor për formimin e njnë qeverie të re të Malit të Zi, pothuajse shtatë muaj pasi parlamenti nuk i dha votëbesimin qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviç.

 

Vendimi merret gjithashtu tre ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, ku presidenti Gjukanoviç rikandidon për postin.

 

Qeveria e Malit të Zi e kryesuar nga kryeministri Dritan Abazoviç e humbi votëbesimin gushtin e vitit të kaluar dhe qeveria ka tani një mandat teknik.

Mediat malazeze kanë njoftuar se, këto ditë, ka pasur negociata për riorganizimin e qeverisë aktuale të kryeministrit Abazoviç.

 

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim të thellë për përpjekje të tilla dhe kanë thënë se zgjidhja e ngërçit politik në vend dhe legjitimiteti i qeverisë së ardhshme në vend, duhet të bëhen përmes zgjedhjeve të hershme.

 

Pas votës së mosbesimit ndaj qeverisë së zotit Abazoviç, Fronti Demokratik, partia më e madhe e koalicionit qeverisës, e cila njihet për qëndrimet e saj pro-ruse dhe pro-serbe, propozoi për kryeministër kandidatin e saj, Miograd Lekiç. Presidenti Gjukanoviç e kundërshtoi këtë kandidaturë dhe propozoi zgjedhje të reja.

 

Kjo nxiti parlamentin të ndryshonte Ligjin për Presidentin, duke i hequr atij disa kompetenca, për të bërë të mundur zgjedhjen e kryeministrit nga parlamenti, pa patur nevojë për miratim nga presidenti. Komisioni i Venecias, e kritikoi ligjin si në shkelje të Kushtetutës.

 

Faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza./VOA/

Vazhdo të lexosh

Reklamë