Subscribe

Paralajmërimet e qeverisë së re në Mal të Zi për miratimin e një projektligji që do të lehtësonte marrjen e shtetësisë, janë shoqëruar me protesta në Podgoricë. Demonstruesit  u mblodhën nga disa qytete të vendit me flamuj kombëtarë dhe slogane kundër ekzekutivit aktual.

Gjatë protestës, një grup të rinjsh u përpoqën të ndalojnë automjetin zyrtar ku gjendej vajza e kryeministrit Zdravko Krivokapiq, një incident që u shoqërua me reagime të ashpra.

Projektligji që propozohet do t’u jepte atyre personave me leje qëndrimi të përhershme dhe të përkohshme të drejtën e votës dhe të drejtën e aplikimit për shtetësi, pasi me ligjin aktual, njerëzit që jetojnë në Malin e Zi me leje qëndrimi nuk kanë të drejtë të votojnë ose të kenë prona.

Ligji aktual thotë se shtetësia mund t’i jepet vetëm një personi që ka pasur qëndrim të ligjshëm në vend për më shumë se dhjetë vjet dhe ka hequr dorë nga shtetësia e një vendi tjetër.

Sipas opozitës malazeze, ndryshimi i ligjit do t’u jepte të drejtën e votës një numri të madh të serbëve, që kanë ardhur si refugjatë të luftës nga vendet e ish-Jugosllavisë. Ditëve të fundit, situata në Mal të Zi është tensionuar edhe nga fakti se ministri i Drejtësisë, Vladimir Leposaviq gjatë një seance parlamentare ka thënë se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”, duke vënë në dyshim legjitimitetin e Gjykatës së Hagës. Deklarata është pasuar me reagime të faktorit ndërkombëtar, ndërkohë që kryeministri Krivokapiq ka kërkuar dorëheqjen e tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *