Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar një projektligj për komunitetet fetare, i cili është kundërshtuar nga opozita pro-serbe, duke ngritur shqetësimin se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë që ka. Përgjatë seancës, brenda dhomës së parlamentit janë zhvilluar protesta të dhunshme.

 

Në orët e para të 27 dhjetorit, ligjvënësit kanë votuar në të mirë të projektligjit, derisa anëtarët e partisë opozitare Fronti Demokratik kanë tentuar të parandalojnë këtë proces. Rreth 36 deputetë kanë bojkotuar votimin, duke i ofruar koalicionit udhëheqës rrugë të qartë për miratim të projektligjit edhe pas tetë orëve të debatit.

 

Disa prej ligjvënësve që kanë protestuar janë larguar prej ndërtesës nga zyrtarët për zbatim të ligjit, ndonëse nuk është bërë e ditur nëse ata janë ndaluar. Gjatë ditës së enjte, qindra mbështetës të opozitës pro-serbe kanë dalë në rrugët e kryeqytetit, Podgoricë për të kundërshtuar projektligjin. Protestuesit kanë qenë të zemëruar nga kërkesa e këtij dokumenti për të ofruar të dhënat mbi pronësinë që kanë prej para vitit 1918, kur Mali i Zi i është bashkuar Mbretërisë Jugosllave.

 

Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastirët dhe kishat, andaj planifikon të dërgojë ankesë në organizatat ndërkombëtare.

 

Zyrtarët malazezë kanë mohuar supozimin që kisha do të humbasë pronën që ka. Kryeministri, Dushko Markoviq është takuar me peshkopin, Amfilohije, i cili është në krye të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, duke tentuar të ulë tensionet. Ai ka thënë se “nuk ekziston agjendë e fshehur” mbrapa ligjit./REL

One thought on “Mali i Zi miraton projektligjin për komunitetet fetare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *