Parlamenti i Malit të Zi është mbledhur duke debatuar rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kryeministrit Dritan Abazoviç.

 

Nisma për t’i hequr votëbesimin qeverisë është kërkuar nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, të disa partive në koalicinonin qeveritar dhe partive të tjera, për shkak të, siç kanë thënë, ndalimin e Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimin e tensioneve ndëretnike në vend.

 

Nismëtarët e mosbesimit e kritikojnë qeverinë duke theksuar se në vend të ndjekjes së rrugës evropiane, qeveria po kryen eksperimente politike.

 

“Pas qeverisë së ekspertëve dhe (qeverisë) së pakicës, Mali i Zi nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje për një qeveri legjitime”, tha Danijel Zhivkoviç, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Socialiste, të presidentit Milo Gjukanoviç.

 

Kryeministri Abazoviq thotë se kërkesa për rrëzimin e qeverisë nuk ka të bëjë me proceset europiane, por me marrëveshjen që qeveria e tij arriti me Kishën Ortodokse Serbe. “Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe mos u fshihni pas evropianizmit tani”, tha zoti Abazoviç.

 

Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe shkaktoi përplasje brenda koalicionit qeverisës që në fillim. Një pjesë e partive qeverisëse, theksuan se marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet malazeze. Edhe shoqëria civile dhe opinionistë të pavarur patën vërejtje serioze për përmbajtjen e Marrëveshjes.

 

Në fillim të gushtit, kryeministri Abazoviç i refuzoi zyrtarisht të gjitha kundërshtimet e organizatave joqeveritare, Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, si dhe institucioneve të tjera në vend.

 

Për të rrëzuar qeverinë, e cila deri tani funksiononte si qeveri pakice, nevojiten votat e të paktën 41 nga 81 deputetëve të parlamentit të Malit të Zi. Është e paqartë se cili do të jetë epilogu i seancës parlamentare, sepse Fronti Demokratik, si parti pro-ruse, apo Demokratët e Alekse Beçiçit dhe Partia Boshnjake, ende nuk janë shprehur se si do të votojnë. Një pjesë e votave të tyre, të paktën pesë, nevojiten për rëzimin e qeverisë.

 

Gjatë seancës, përfaqësuesit e Fronti Demokratik kërkuan ndërprerjen e saj dhe propozuan, që partitë fituese të zgjedhjeve parlamentare të gushtit të vitit 2020, të formojnë përsëri një qeveri teknike, siç bënë dy vjet më parë.

 

Fronti Demokratik dhe partia tjetër, Demokratët, kanë kërkuar një seancë tjetër parlamentare më 2 shtator, për të debatuar një mocion tjetër mosbesimi, nëse qeveria e kryeministrit Abazoviç i mbijeton votimit të tanishëm.

 

Propozimi për votën e mosbesimit në shtator, është paraqitur nga 32 deputetët e këtyre dy partive, duke përmendur si arsye “humbjen e kapaciteteve funksionale dhe thellimin e krizës ekonomike”./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published.