Javës që vjen Parlamenti pritet të miratojë nen për nen buxhetin dhe paketën fiskale të vitit të ardhshëm. Opozita, konkretisht deputetja Jorida Tabaka ka reaguar nëpërmjet një letre zyrtare dërguar delegacionit të BE në Tiranë, ku thotë se projekti i paqes fiskale është amnisti dhe nuk është i shëndetshëm për ekonominë.
Mbi të gjitha rrezikon legalizimin e parave të krimit. Por ministri i Financave Petrit Malaj gjatë një interviste për gazetaren Rajmonda Lajthia konfirmoi se institucionet ndërkombëtare kanë dhënë dakordësinë e tyre për projektin.
“Paqja fiskale nuk është amnisti. Ne nuk ofrojmë siguri juridike për evazorët, nuk amnistojmë ata me ndjekje penale, ata me vendim gjykate, ata që janë në hetim tatimor. Mbi të gjitha, kemi vënë një kufi që tatim-fitimi që do të duan të rideklarojnë nuk mund të jetë më shumë se 30% e tatimit të deklaruar. Në frymën e transparencës ky projekt është konsultuar me FMN, e cila është dakord me këtë projekt, nuk e ka kundërshtuar fshirjen dhe legalizimin. E vetmja rezervë që ka FMN, ka të bëjë me cenimin e progresit të arritur deri më tani në mbledhjen e taksave. Po ashtu, edhe me Bashkimin Europian jemi konsultuar. Kjo nismë është bazuar në modelin italian. Pra është një praktikë europiane”, – deklaroi Petrit Malaj.

Sipas të dhënave, janë 202 mijë biznese të total që kanë detyrime të papaguara me një borxh të akumuluar në 1.6 miliardë euro. Faza e parë e paqes fiskale, parashikon fshirjen automatike të borxheve më të vjetra se 10 vite. Faza e dytë është dakordësi me administratën tatimore për të rideklaruar të ardhura që bizneset i kanë fshehur ndër vite dhe duke i tatuar me një normë 5%./vizionplus.tv





