Luhen sonte në mbrëmje duelet e Play Off për të përcaktuar kombëtarët europiane që do të vijojnë rrugën drejt kualifikimit për në botërorin e Katarit. Italia, kampione e Europës do të luajë kundër Maqedonisë së Veriut sfidën gjysmëfinale. Në Palermo, axurrët që përfunduan pas Zvicrës në fazën e grupeve duhet të hedhin tej makthet e 4 viteve më parë, kur Italia qëndroi jashtë botërorit pasi nuk fitoi dot duelin e fundit deciziv ndaj Suedisë në shtëpi. Këtë herë kundërshtari është shumë më i dobët në letër, ndonëse te Italia nuk i zënë besë rivalit. Te Maqedonia e Veriut shqetësimi më i madh është mungesa e yllit Elif Elmazi, ndërsa shpresat janë të varura tek shqiptari i Levantes, Enis Bardhi. Mirëpo probleme ka edhe Mancini që në raport me Europianin është pa dyshen e mbrojtjes Bonucci e Kielini që e nisin nga stoli , Spinaxola, Di Lorenco, Kieza dhe Locateli të dëmtuar. Sulmi do ti besohet tresh Berardi, Imobile dhe Insinje. Në rast se kalon më tej, Italia do të gjejë në pengesën e fundit drejt botërorit fituesin e çiftit Portugali vs Turqi. Luzitanet janë favorite për të kaluar sonte pavarësisht disa mungesa me peshë. Portugezet I besojnë cilësive të yllit të vet Kristiano Ronaldo, ndërsa Turqia beson se mund të bëjë mrekullinë në transfertë duke besuar tek forca e grupit dhe cilësia e Hakan Calhanogli dhe Burak Ilmaz. Në përplasjet e tjera spikat Suedia e Zllatyan Ibrahimoviç përballë Çekisë, duel mjaft interesant, sikurse përplasja e ekuilibruar mes Uellsit dhe Austrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *