Makinat e vjedhura në Maqedoninë e Veriut i shisnin në Shqipëri, arrestohet prrenjsaku

Policia e Librazhdit, finalizoi operacionin “Rrajca 2019”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Xh. B., 53 vjeç, lindur në Prrenjas, Librazhd.
Po ashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. R., banues në Strugë, Maqedoni e Veriut.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë organizuar trafikimin e disa automjeteve nëpërmjet kufirit të gjelbër jashtë pikave të kalimit kufitar, nga shteti i Maqedonisë së Veriut drejt Shqipërisë.
Në kuadër të operacionit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një autoveturë e markës Volksëagen Passat, me targa të shtetit të Maqedonise së Veriut, në pronësi të një shtetasi maqedonas. Automjeti është vjedhur në shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe me pas trafikuar në Shqipëri.
Vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të perfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe sekuestrimin e disa automjeteve të trafikuara nga ky grup personash (për të cilët nuk jepen të dhëna për arsye hetimi).




