Ka nisur zbatimi i projektit për instalimin e një sistemi sigurie përmes kamerave inteligjente, i cili pritet ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë edhe në këtë drejtim.
Ky projekt do të sjellë standarde të larta monitorimi në rrugët e qyteteve, shkollat dhe mjedise të tjera publike.
Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, tha se me vendosjen e kamerave inteligjente, Shqipëria në harkun e dy viteve do të jetë në nivelin e vendeve më të sigurta të botës.
Ai shtoi se në rrugë do të jetë e pamundur të lëvizin persona me rrezikshmëri të lartë.
Sipas Ramës, ky projekt do të ndihmojë të gjithë punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit.
Rama: Do të jetë e pamundur që një makinë policie të përdoret për punë personale. E pamundur që një makinë policie të shkojë të parkohet te shtëpia, para një restoranti, ku punonjës të policisë të hanë drekë. Ky projekt ndihmon të gjithë punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, duke ua larguar të gjitha hilet. Një polic që bëhet pjesë e një krimi do të duhet të mbulohet me ferexhe kur të dalë në rrugë. Nuk do të ketë më makina që ikin në drejtime të paditura.
Sa e sa konflikte kemi sot në sistemin arsimor, pasi mësuesit kanë një variant, nxënësit një variant, prindërit një variant. Vijnë të tre në drejtori, shtypet susta dhe shihet fare mirë. Tragjeditë që kemi pasur me shkolla janë të lidhura me shumë arsye, por patjetër lidhen edhe me faktin që mungesa e pamjeve të qarta e vështirëson punën e hetuesve dhe drejtësisë. Me këtë sistem, perimetri i oborrit të shkollës është 24 orë në 24, sikur të kishte në të katër anët roje policie.
Bëhet më transparente ajo që ndodh me rrugët kombëtare, aty ku rëndon policia rrugore ka mbyllur sytë. Kjo nuk lejohet më dhe me sistemin e administrimit që do të sjellin miqtë tanë nga Abu Dhabi ka një protokoll të qartë, asnjë punonjës aty në sallë nuk i mbyll sytë, sepse nuk do të mbetet vetëm në sytë e tij.
Është një revolucion që vjen në tërësinë e transformimeve që ne mund të bëjmë falë avancimit të teknologjisë. Sot, me firmosjen e marrëveshjes, fillon zbatimi. Është e sigurt që në harkun e dy viteve Shqipëria do të jetë në nivelin e vendeve më të sigurta të botës. Do të jetë shumë e vështirë të lëvizësh në rrugët e Shqipërisë për të bërë keq.
/vizionplus.tv





