Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, i ka shprehur shqetësimet për rreziqet e sigurisë në centralin bërthamor të Zaporizhjas.

 

Sipas zyrës së Macronit, presidenti rus ka rënë dakord të dërgonte në vend një mision ekspertësh nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

 

Në deklaratë thuhet gjithashtu se dy presidentët – të cilët diskutuan situatën në Ukrainë në një telefonatë më 19 gusht – ranë dakord të vazhdojnë bisedimet edhe në ditët në vijim.

 

Centralin bërthamor të Zaporizhjas e mori nën kontroll në mars Rusia, menjëherë pasi nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

 

Centrali më i madh bërthamor në Evropë gjatë javëve të fundit ka shkaktuar frikë për një katastrofë bërthamore.

 

Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e uzinës.

 

Kremlini citoi Putinin të ketë thënë se bombardimi i centralit bërthamor të kontrolluar nga Rusia, për të cilin ai fajësoi Kievin, krijoi rrezikun e “katastrofës në shkallë të gjerë”.

 

Sipas Kremlinit, të dy udhëheqësit kërkuan që ekspertët e IAEA-së të inspektojnë uzinën “sa më shpejt që është e mundur” dhe “të vlerësojnë situatën reale në terren”.

 

Më 18 gusht në Lviv të Ukrainës, presidenti ukrainas, Zelensky është takuar me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ku kanë diskutuar për centralin bërthamor të Zaporizhjas.

 

“Ne jemi të shqetësuar. Nuk duam një Çernobil tjetër”, tha Erdogan gjatë konferencës për media pas takimeve në Lviv./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *