Presidenti Hashim Thaçi ka marrë një letër urimi nga homologu i tij francez Emmanuel Macron, për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

 

Në letrën e tij drejtuar Thaçit, Presidenti Macron shkruan se që nga viti 2008, dy vendet kanë ndërtuar një marrëdhënie miqësie të bazuar në besim.

 

Sipas Macron Franca qëndron në krah të Kosovës në mbështetje të afirmimit të saj të plotë në skenën ndërkombëtare.

 

 “I nderuari President,

Me rastin e Festës Kombëtare të Kosovës, kam kënaqësinë t’ju dërgoj, në emrin tim dhe në emër të popullit francez, urimet e mia të sinqerta.Që nga viti 2008, dy vendet tona kanë ndërtuar një marrëdhënie miqësie të bazuar në besim. Siç e dini, Franca qëndron në krah të Kosovës në mbështetje të afirmimit të saj të plotë në skenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, dëshiroj t’ju përgëzoj për avancimin e vendit tuaj në statusin e anëtarit të asociuar të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në Samitin e Jerevanit, më 11 dhe 12 tetor të vitit të kaluar. Sa i përket situatës në Ballkan, unë mbështes përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është thelbësore për stabilizimin e qëndrueshëm të rajonit. Franca shpreson se pengesat për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës do të mënjanohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne, gjithashtu, mbështesim agjendën e reformave evropiane, në veçanti reformat që kanë për qëllim vendosjen e sundimit të ligjit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit tuaj. Dëshmi e angazhimit të Francës në këtë fushë është Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD), e cila do të jetë e pranishme së shpejti në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë. Duke ripërtërirë urimet e mia të ngrohta, ju lutem pranoni zoti President, shprehjen e konsideratës time më të lartë.

Emmanuel MACRON

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *