Francezet kane votuar Emmanuel Macron si kandidatin favorit per President te ri te Frances perballe kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

 

Raundi i balotazhit vjen pas një fushate negative dhe pas sulmit kibernetik më 5 maj, ndaj fushatës së Macron.

 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme franceze, deri në orën 17:00, kanë votuar 65.3 për qind, që është shifër më e vogël, krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve, ku 71.9 për qind e votuesve i ishin drejtuar kutive të votimit.

 

Macron, kandidat i qendrës, doli i pari në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Ai në këto zgjedhje ka garuar me një platformë pro-evropiane, ndërkaq, nacionalistja anti-migrantëve, Marine Le Pen dëshiron që Franca të dalë nga Bashkimi Evropian dhe të braktisë monedhën euro, shkruan Evropa e Lire.

 

Macron ka votuar në qytetin Le Tourquet në veri të Francës, ku u shoqërua nga gruaja e tij, Brigitte.

 

Le Pen, e cila dëshiron që të ndjekë hapat e Britanisë së Madhe për të dalë nga blloku, ka votuar në Henin-Beaumont, një qytet i vogël verior që kontrollohet nga partia që ajo udhëheq, Fronti Kombëtar.

 

Në këto zgjedhje, kanë pasur të drejtë vote 48 milionë banorë të Francës. Ata kanë mundur të votojnë në 66 mijë qendra të votimit.

 

Rreth 50 mijë zyrtarë policorë janë përkujdesur për sigurinë e qytetarëve të Francës, në ditën e zgjedhjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *