Subscribe

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri të ditur se katedralja 850 vjeçare “Notre Dame” e shkrumbuar nga flakët 2 ditë më parë do të rindërtohet brenda pesë viteve dhe të jetë gati për Lojërat Olimpike. Në një fjalim para kombit ai u zotua se katedralja do të jetë edhe më e bukur se më parë.

 

“Zjarri në Notre Dame na kujton se historia jonë kurrë nuk ndalet. Ne do ta rindërtojmë katedralen edhe më të bukur dhe unë shpresoj që gjithçka të ketë përfunduar brenda 5 viteve. Unë ndjej të njëjtën dhimbje me ju, por gjithashtu edhe shpresën se të gjithë së bashku do ta rindërtojmë historinë tonë. Është detyra jonë që ta transformojmë këtë katastrofë në një mundësi për të ardhmen tonë, duke reflektuar thellësisht atë që kemi qenë dhe çfarë duhet të bëjmë.”

 

Macron tha të martën se monumenti historik duhet të jetë gati, megjithëse ekspertët druhen se restaurimi mund të zgjasë me dekada. Presidenti i bëri thirrje të gjithë popullit francez të bashkohet në “projektin kombëtar” për rindërtimin e  katedrales.

 

Deri më tani, shumë donatorë nga e gjithë Franca kanë dhuruar më shumë se 700 milionë euro që nga dita e martë, për të rindërtuar Notre Dame, e cila u përfshi nga zjarri katastrofik. 500 milionë janë dhuruar nga familjaret e 3 miliarderëve Louis Vuiton, L’Oreal dhe Kering.

 

Ndërkohë më shumë se 50 hetues janë angazhuar për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit që shkrumboi katedralen.

 

“Notre Dame” e ndërtuar në vitin  1163 I ka mbijetuar luftës së parë dhe të dytë botërore, por jo  Revolucionit Francez gjatë të cilit pësoi dëme të mëdha. Ajo u kthye në simbol të Parisit dhe çdo vit vizitohej nga miliona turistë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *