Shefi i Elizesë, Emmanuel Macron i ka dhënë një tjetër mundësi bisedimeve për dialogun Prishtinë Beograd ndërsa ka bërë bashkë në një takim në Paris, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologun e tij serb, Alexandër Vuçiç.

 

Kreu i shtetit të Kosovës në një postim në rrjetin social Facebook bëri të ditur se vendi i tij është i gatshëm të vazhdojë dialogun në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila duhet të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

 

Ndërsa në një lidhje telefonike me radion “Europa e lirë”, Thaçi nënvizoi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushte.

 

“Besoj se presidenti Macron, së bashku me aktorë të tjerë globalë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aktorë të tjerë europianë, duke përfshirë edhe NATO-n do të mund të lehtësojë procese të ardhshme të tilla për arritjen e marrëveshjes përfundimtare paqësore Kosovë-Serbi si kusht për paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor. Është një vendosmëri e plotë e presidentit Macron që të shtyjë përpara këtë proces si nevojë evropiane dhe si kusht e kriter europian.”

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, u shpreh i zhgënjyer nga takimi në Paris pasi e konsideroi atë jo të mjaftueshëm sa për të çuar çështjen e dialogut në një nivel tjetër. Sipas mediave serbe, Vuçiç dhe Macron kanë rënë dakord që në muajin janar të vitit 2020, pasi edhe Kosova të ketë formuar qeverinë e re, të organizojnë një tjetër takim trepalësh.

 

Ndërkohë një fokus të rëndësishëm në këtë takim ka marrë edhe shengeni i Ballkanit Perëndimor. Presidenti serb tha se heqja e barrierave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është më e rëndësishme se dialogu me Prishtinën. Ai theksoi se Macron e përshëndeti nismën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *