Disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të lironte qindra pjesëtarë të grupit terrorist ISIS, nëse aleatët e tij europianë nuk pranojnë t’i marrin mbrapsht në vendet e tyre dhe t’i bëjë procesin gjyqësor atje, për herë të parë ka reaguar Gjermania. Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë për mediat se verifikimi i nënshtetësisë së këtyre personave do të shfaqë probleme, e se rikthimi i tyre është i mundur vetëm “kur të jetë e sigurte, që këta njerëz këtu do të paraqiten menjëherë para drejtësisë dhe futen në paraburgim.”

 

“E për sa kohë kjo nuk është e mundur, e shoh si jashtëzakonisht të vështirë për t’u realizuar. Nëse dikush zotëron pasaportën gjermane, e ka të drejtën për t’u kthyer në vend. Por situata në Siri aktualisht është e tillë, që nuk ka mundësi për ta verifikuar këtë. Prandaj ne do rakordohemi  me francezët, britanikët se si do duhet të veprohet.”

 

Sipas autoriteteve gjermane, të gjithë të gjithë qytetarët me pasaportë gjermane, edhe ata që janë të dyshuar se kanë luftuar për të ashtuquajturin, shteti islamik, kanë të drejtën e rikthimit.  Nga ana tjetër Danimarka e ka refuzuar kërkesën e Donald Trump, për shkak të rrezikshmërisë së lartë të këtyre personave. Kthimin e tyre e ka kundërshtuar edhe Britania e Madhe. Ndërsa Franca ka bërë të ditur në janar, se do të rimarrë 130 përkrahës të IS-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *