Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka folur këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit për rastet e ngacmimeve seksuale në shkolla dhe familje.

Ajo u shpreh se nga janari i vitit 2019, strukturat arsimore janë njohur me disa raste të denoncimeve, ku theksoi se janë 5 denoncime për ngacmim apo abuzim seksual me të mitur nga abuzues që fëmijët i kanë takuar në shkollë, si dhe mbi 11 raste të tjera të ngacmimit apo abuzimit të nxënësve nga familjarë apo njerëz të tjerë që ka në komunitet.

“Gjysma e rasteve janë zbuluar nga stafi i shkollës dhe denoncuar po nga ata në organet e drejtësisë. Nxënës, të cilët janë abuzuar në shtëpi apo në lagje. Të gjithë këto raste kanë të përbashkët një fakt të rëndësishëm: të gjithë abuzuesit kanë qenë persona të afërt apo të njohur nga fëmijët: babai, vëllai, kushëriri, stafi i shkollës apo nxënës. Kodi penal është i qartë, procedurat janë të qarta. Por, është gjithashtu e plotësisht e qartë që kjo nuk mjafton. Ndëshkimet nuk mjaftojnë që të parandalojnë abuzimin, sepse duhet të kuptojmë se abuzimi ndodh në një kontekst të një patriarkalizmi të thellë, ku gratë dhe vajzat objektifikohen, ndërsa nga burrat dhe djemtë pritet një sjellje grabitqare dhe abuzuese. Ma gjeni një grua që nuk është ngacmuar seksualisht, nuk i është hedhur ndonjë fjalë në rrugë, në punë apo në shkollë, me qëllim që të ofendohet, turpërohet apo objektifikohet.”

Shahini iu bëri thirrje gjithashtu OJF-ve që të ndërpresin menjëherë daljen në media me informacion identifikues për personat që duhet të marrin në mbrojtje, ndërsa shtoi se ka kërkuar hetim urgjent administrativ për protokollet që zbatohen nga OJF-të që paguhen nga buxheti i shtetit për të ofruar shërbim publik për mbrojtjen e fëmijëve.

“OJF-të që paguhen nga buxheti i shtetit tonë dhe shteteve donatore (prapë taksapagues edhe ata) për të mbrojtur gratë dhe fëmijët, për të trajnuar mësuesit e psikologët, si dhe për të raportuar denoncimet e dhunës dhe abuzimit. Tek lista e organizatave që na kishin shkruar ishte organizata partnere e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) që paguhet nga buxheti i shtetit të menaxhojnë linjën e denoncimeve anonime të dhunës dhe abuzimit, që mesa kuptoj, janë gjithmonë në dijeni paraprakisht për rastet që denoncohen aty, por për çfarëdo arsyeje informacioni nuk shkon tek institucionet shtetërore menjëherë që të merren masat e nevojshme. MASR ka kërkuar gjithashtu që Urdhri i Psikologut të raportojë për trajnimet që ka zhvilluar për çështjet e ngacmimit dhe abuzimit seksual, me psikologët gjyqësorë dhe ata shkollorë. U kemi dërguar bashkive kriteret që duhet të plotësojnë rojet dhe stafi sanitar që na i sjellin nëpër shkolla. Bashkitë duhet të kenë parasysh që stafi që punon në shkollë duhet të jetë me integritet.”

Ndër të tjera, Shahini deklaroi se është vendosur dyfishimi i numrit të psikologëve dhe punjonjësve social nëpr shkolla dhe nisja e një fushate informuese për nxënësit për të drejtat e tyre se si i mbron rregullorja e arsimit parauniversitar dhe kodi penal.

“Por dua të përsëris, KJO NUK MJAFTON! Nëse duam të parandalojmë ngacmimin, abuzimin, dhunën dhe diskriminimin e fëmijëve, grave dhe grupeve të brishta, duhet që secili nga ne të punojë për të luftuar sistemin patriarkal që denigron grupet e brishta dhe mundëson abuzimin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *