Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë, kanë dështuar të arrijnë marrëveshje politike në një përpjekje të re në prag të mbarimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit deri në mesnatë, pas zgjedhjeve të qershorit.
Kryeministri në detyrë dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, u takua për herë të katërt me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të premten, por që të dy thanë se dallimet në qëndrime dhe kërkesa mes tyre janë të thella, gjë që e bëjnë shumë të zorshme arritjen e një marrëveshjeje politike.
Mospajtimi kryesor mes tyre është posti i presidentit, të cilin e do me ngulm LDK-ja.
Kurti – partia e të cilit i fitoi bindshëm zgjedhjet duke marrë 53 mandate – tha se “nuk kemi ende marrëveshje politike”.
“Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së”, theksoi Kurti.
Duke folur për kërkesën e LDK-së, e cila siguroi 18 vende në Kuvend, për postin e presidentit, Kurti nënvizoi se “ne si LVV nuk mund të bëjmë marrëveshje që do ta zëvendësonte vullnetin e popullit dhe do ta deformonte rezultatin zgjedhor”.
“Në marrëveshje politike duhet ta pasqyrojnë raportin e vendeve që i kemi në Kuvend”, shtoi Kurti.
Ndërkohë, Abdixhiku tha se në takimet e tyre LDK-ja ka kërkuar që ajo ta propozojë emrin e presidentit, por “në këtë pikë nuk kemi pasuar pajtueshmëri”.
Abdixhiku paralajmëroi se partia e tij nuk ka vullnet për vazhdimin e bisedimeve, nëse nuk i jepet mundësia ta propozojë kandidatin për president.
“Përfaqësimi i vetëm që mund të mbetet është një përfaqësim nga LDK-ja, një emër që e bisedojmë bashkërisht me LVV… nëse kjo nuk mund të arrihet, atëherë me keqardhje them se LDK-ja nuk mund të kontribuojë më tepër për bisedime e takime”, shtoi ai.
Ai tha se oferta e deritanishme që LDK-ja ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit, atë të zëvendëskryeministrit dhe disa Ministri, “nuk është e mjaftueshme për të dhënë zgjidhje”.
Por, Kurti nguli këmbë se ai është i interesuar të bashkëqeverisë me LDK-në dhe “ata t’i kenë postet e tyre, prej postit të zëvendëskryeministrit dhe disa ministrive”.
Takimi mes tyre – i katërti deri tani – u zhvillua disa orë para se të përfundojë afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Një ditë më parë, Kurti kërkoi nga kryesuesi Avni Dehari, për të shtyrë seancën konstituive të Kuvendit, duke kërkuar kohë shtesë për një marrëveshje politike që do të jepte një zgjidhje për çështjen e presidentit.
Por, Abdixhiku e përsëriti se sot duhet të ketë seancë konstituive dhe Kosova të ketë kryeparlamentar dhe nënkryetarë kuvendi brenda afatit kushtetues.
LDK së voni ka bërë publik qëllimin se e dëshiron postin e presidentit, teksa Kurti ka insistuar se presidenti i ri duhet të jetë një figurë konsensuale dhe jopartiake.
Vëzhguesit politikë i thanë REL-it se LVV-ja dhe LDK-ja duhet të fokusohen më shumë në programin qeverisës, sesa në ndarjen e posteve.
Dy partitë e tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca nuk kanë pranuar të hyjnë në negociata me Kurtin, duke shprehur qëndrimin se duan të jenë në opozitë.
Më herët gjatë ditës, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një shkrese, refuzoi sërish takimin me Kurtin. Ai i është përgjigjur pozitivisht vetëm ftesës së parë të Kurtit dhe pas takimit të tyre më 10 korrik, Hamza deklaroi se partia e tij do të mbetet në opozitë.
Aleanca, ndërkaq, ka refuzuar të gjitha ftesat për takim, duke argumentuar se veçse ka paraqitur disa pika për LVV-në, të cilat nëse përmbushen, Kurti do të ketë shtatë votat e Aleancës për formimin e institucioneve.
Pas shtyrjes së seancës konstituive më 6 gusht, organizatat joqeveritare në Kosovë bënë thirrje për respektimin e afatit kushtetues për formimin e institucioneve, teksa mirëpritën bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Ndërkaq, ambasadat e akredituara në Kosovë bënë thirrje që Kosova sa më shpejt të ketë institucione me mandat të plotë, në mënyrë që të vazhdohet me agjendën e reformave evropiane.
Nëse partitë nuk arrijnë një ujdi për krijimin e institucioneve, atëherë vendi rrezikon të mbajë zgjedhje të reja – që do të ishin të katërtat në gati dy vjet./rel





