BE, “lumë” kritikash Turqisë

Përpjekjes shumëvjeçare të Turqisë për t’u integruar në BE i janë shtuar të tjera pengesa serioze që duket se po e largojnë edhe më shumë nga ky synim.
Sipas raportit të Komisionit të BE mbi gjendjen e negociatave të anëtarësimit, Turqia ka probleme madhore në fushat kyçe të sundimit të ligjit, të të drejtave themelore, të reformës së administratës publike dhe lirisë së shprehjes.
“Në rrethanat e tanishme, hapja e kapitujve të rinj të negociatave nuk duhet marrë në konsideratë,” thuhet në raportin që do të prezantohet zyrtarisht në Strasburg të martën.
Mbi të gjitha Komisioni kritikon masat e marra nga udhëheqja turke pas grushtit të dështuar të shtetit dhe i bën thirrje qeverisë në Ankara të heqë gjendjen e jashtëzakonshme që është në fuqi pa ndërkreje prej gati dy vjetësh.
Raporti vlerëson pozitivisht politikat turke te emigracionit dhe konfirmon propozimin e tij për zgjerimin dhe modernizimin e bashkimit doganor midis BE-së dhe Turqisë. Në këtë kontekst ekspertët vlerësojnë gjithashtu ekonominë turke, e cila përshkruhet si një ekonomi tregu shumë e avancuar dhe funksionale.
Ndërkohë, një kërkesë e ngutshme e Turqisë është edhe liberalizimi i vizave me BE-në, por për këtë duhet të përmbushë 72 kritere. Pika më e diskutueshme deri tani janë ligjet kundër terroristëve, të cilat sipas Brukselit keqpërdoren edhe për përndjekjen e gazetarëve apo opozitarëve.



